Google ADS

Meta nuk e dekretoi paketën antishpifje, OSBE: Rivotimi hap rrugën e përmirësimeve

19:39 | 13 Janar 2020
Arbresh Info

Përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin, Harlem Desir tha të hënën se ai është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjeseve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar.

Zyra e OSBE-së për shtypin e bëri këtë deklaratë pas marrjes së dokumentave shpjeguese nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për arsye të mosdekretimit të ligjit për shtypin në Shqipëri.

“Përfaqësuesi i medias përsërit se asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Ai shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrës së OSBE-së për lirinë e medias.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”. Sa i takon ligjit të parë, Presidenti Meta vlerëson se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike” Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave.

Qeveria e Shqipërisë dhe shumica socialiste në parlament kanë këmbëngulur se paketa anti-shpifje ka mbështetjen e plotë të OSBE-së./VOA

Të ngjashme