Google ADS

Pompeo: NATO duhet të luajë rol më aktiv në Lindjen e Mesme

10:41 | 10 Janar 2020
Arbresh.info

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zhvilluan një bisedë telefonike lidhur me “kërcënimet që shkakton Irani në rajon”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjithashtu Pompeo zhvilloi një bisedë edhe me kryeministrin irakian, Adil Abdul Mahdi, ku ai dënoi sulmet raketore të kryera nga Irani ndaj bazave në Irak.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, në një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën telefonike Pompeo-Stoltenberg tha se në bisedë u diskutua goditja me raketa e bazës ajrore Ayn al-Asad e SHBA-ve në Irak e cila u godit si kundërpërgjigje e Iranit për vrasjen e gjeneralit iranian, Qasem Soleimani.

Në deklaratë thuhet se Pompeo tërhoqi vëmendjen se NATO duhet të luajë një rol më aktiv në Lindjen e Mesme dhe se janë dakorduar që Aleanca të kontribuojë më shumë në sigurinë rajonale dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Bashkë me këtë gjatë bisedës janë dënuar aktivitetet destabilizuese të Iranit dhe u theksua rëndësia e luftës kundër DEASH-it.

Mesazh vendosmërie nga SHBA-të

Në bisedën e zhvilluar me kryeministrin irakian Mahdi, sekretari Pompeo dënoi sulmet raketore të kryera nga Irani ndaj bazave në Irak.

“Sekretari Pompeo dënoi sulmin me 7 raketa balistike të kryera nga regjimi i Iranit ndaj bazave në Irak. Pompeo duke iu referuar deklaratave të presidentit Trump, ka vënë theksin se do të bëhet çfarë është e nevojshme për të ruajtur interesat amerikane dhe të popullit irakian si dhe interesat kolektive”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme