Analistët amerikanë nuk parashikojnë që tensionet me Iranin të shndërrohen në luftë, pas vrasjes së gjeneralit Kasem Suleimani nga një goditje ajrore amerikane. Demokratët në Kongres duan që t’ia dobësojnë presidentit kompetencat për luftë , gjë që ligjvënësit republikanë e kundërshtojnë. Shumë amerikanë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj një lufte me Iranin gjatë protestave në rrugë të shtunën dhe të dielën.
Ndërsa amerikanët protestojnë kundër një lufte tjetër në Lindjen e Mesme, iranianët mbajnë zi për vdekjen e gjeneralit të lartë të tyre. Udhëheqësi suprem i vendit u zotua për hakmarrje dhe presidenti amerikan paralajmëroi se Uashingtoni do të reagonte duke vënë në shënjestër objekte të rëndësishme në Iran.
Demokratët në Kongresin amerikan janë të shqetësuar nga shkallëzimi i situatës me Iranin dhe thonë se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë këtë javë për një rezolutë për të kufizuar kompetencat e Presidentit Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.
“Në kohë të tilla është thelbësore për Kongresin që të ketë një masë kontrolli ndaj presidentit dhe që të luajmë rolin tonë kushtetues për çështje të luftës dhe të paqes”, tha Chuck Schumer, udhëheqësi i demokratëve në senat.
Një nga udhëheqësit republikanë të senatit, ka akuzuar demokratët se po mbrojnë interesat e partisë dhe jo të vendit.
“A nuk është e mundur të presim të paktën deri kur të dime faktet? Nuk mund të ruajmë një unitet kombëtar të paktën përkohësisht, para se t’u rikthehemi pozicioneve tona partiake?”, tha Mitch McConnell,
udhëheqës i shumicës republikane në senat.
Por analistët thonë se pavarësisht nga retorika e ashpër, një luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, nuk ka gjasa të ndodhë.
“Në Shtetet e Bashkuara nuk ka dëshirë për luftë, por nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara u bindën se nëse nuk bënin gjë si reagim ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj diplomatëve dhe kontraktorëve amerikanë, ato veçse do të vazhdonin. Prandaj nuk ekziston një rrezik i menjëhershëm për një konflikt ushtarak“, thotë Michael Rubin, i Institutit Amerikan Enterprise.
Vendet e Gjirit Persik duan me çdo kusht të shmangin një luftë në rajonin e tyre, thotë analistja Barbara Leaf.
“Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, nuk kanë qenë shumë të zëshme. Por thelbi i komenteve të tyre është që duhet të ketë një zbutje të tensioneve dhe një qasje politike për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, thotë ajo.
Ndërkohë, zyrtarët irakianë nuk duken të prirur të veprojnë pas vendimit të parlamentit të tyre për të dëbuar trupat amerikane nga Iraku, pasi zoti Trump kërcënoi të vendoste sanksione ndaj Irakut.
“Kryeministri Adil Abdul Mahdi, nuk po e nënshkruan legjislacionin. Kurdët nuk morën pjesë. Shumë nga partitë e moderuara shiite nuk morën pjesë dhe as partitë suni. Disa u detyruan të merrnin pjesë nga blloku politik i milicisë shiite, Bina. Ata votuan në parlament. Ishin të vetmit atje”, thotë Michael President i Institutit Hudson.
Zoti Mahdi tha dorëheqjen në fund të nëntorit, pas demonstratave masive anti-qeveritare të nëntorit në Irak dhe do të largohet nga detyra pasi parlamenti të votojë për pasuesin e tij./voa/
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...