Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, shtet ky që prej 1 janarit 2020 ka marrë kryesimin e presidencës së Bashkimit Evropian, në një intervistë ekskluzive për portalin “Front Online”, thotë se viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur sa i përket liberalizimit të vizave, pasi që, sipas tij, Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE-së gjatë këtij viti.
Nga 1 janari i vitit 2020 Kroacia ka marrë kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe kjo ka rëndësi të madhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për portalin “Front Online” ambasadori i Republikës së Kosovës në Zagreb, Gëzim Kasapolli, i cili ka shtuar se prioritet i shtetit kroat gjatë gjashtë mujorit të presidencës evropiane do të jetë hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe futja në agjendë e çështjes së liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Ambasadori i Kosovës në shtetin që e ka marrë kryesimin e presidencës së BE-së në intervistën për “Front Online” insiston se viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave, pikërisht duke pasur parasysh faktin, siç thotë ai, që Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE-së gjatë këtij viti.
“Unë besoj që këto dy shtete do të jenë mbështetëse të fuqishme të këtij procesi dhe do të na mbetet ne që të argumentojmë bashkarisht rëndësinë dhe arsyeshmërinë e përmbylljes së këtij procesi të stërzgjatur”, ka thënë ambasadori Kasapolli mes tjerash në intervistën për “Front Online”.
Prioriteti i Kroacisë gjatë presidencës së BE-së
Kasapolli: Fakti që Kroacia ka marrë kryesimin e Bashkimit Evropian nga 1 janari i këtij viti, ka rëndësi të madhe për shtetin kroat si dhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti. Në një kohë kur ekzistojnë shumë paqartësi në vet Bashkimin Evropian sa i përket BREXIT-it dhe çështjeve të kompikuara reformuese të viteve të fundit në këtë institucion, Presidenca e Kroacisë me Bashkimin Evropian do të shënojë një rikthim të Ballkanit Perëndimor në agjendën imediate të BE-së. Ky fakt është shumë shpresëdhënës për të gjitha vendet e rajonit tonë që të avancojnë në agjendën e tyre integruese në Bashkim Evropian. Gjatë diskutimeve që kam pasur me institucionet më të larta të shtetit kroat më është bërë e qartë që prioritet i Kroacisë do të jetë hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, si një rikuperim i shansit të humbur për këto vende gjatë vitit të kaluar, duke mos anashkaluar edhe çështje të tjera të rëndësishme për rajonin. Kroacia ka qenë dhe mbetet një nga mbështetësit kryesorë të Republikës së Kosovës në procesin integrues përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Ne jemi duke punuar bashkarisht që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të jetë një nga pikat e agjendës së diskutimeve të vazhdueshme gjatë këtij 6-mujori dhe kemi marrë miratimin e institucioneve kroate që kjo çështje të jetë pjesë e angazhimeve të përbashkëta për të bindur vendet skeptike për arsyeshmërinë e marrjes së këtij vendimi të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
Kasapolli: Kryesimi i Kroacisë me Bashkimin Evropian është edhe një test për Kroacinë në disa kuptime. Së pari, është test në kuptim të aftësisë së institucioneve të Kroacisë për të menaxhuar me një institucion kompleks siç është BE-ja, posaçërisht në momentin e BREXIT-it dhe hartimit të buxhetit të BE-së 2021-2027 dhe nga ana tjetër të luaj një rol paternal ndaj Ballkanit Perëndimor në kuptim të hapjes së mundësive për këto shtete që të avancojnë drejt BE-së. Këto fakte e bëjnë Presidencën e Kroacisë me BE-në shumë komplekse. Megjithatë, na gëzon fakti që Ballkani Perëndimor është vënë në krye të agjendës së Kroacisë gjatë Presidencës me BE-në. Ne si institucione të Kosovës jemi duke punuar në disa drejtime me institucionet e Kroacisë. E para, avancim të agjendës integruese në zbatimin e MSA-së, e dyta, insistim për çështjen e liberalizimit të vizave si proces i rëndësisë vitale për Kosovën dhe e treta fushat me interes ekonomik që është një nga prioritetet e BE-së për rajonin. Unë besoj që Samiti i muajit maj do të shënojë një moment krucial për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të jetë një kurorëzim i presidencës së BE-së nga ana e Kroacisë.
Presidenca e BE-së në duartë e kroatëve dhe gjermanëve, cilat janë shpresat e Kosovës për vizat gjatë vitit 2020?
Kasapolli: Viti 2020 shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave pikërisht duke pasur parasysh që Kroacia dhe Gjermania e kanë presidencën e BE-së në këtë periudhë. Unë besoj që këto dy shtete do të jenë mbështetëse të fuqishme të këtij procesi dhe do të na mbetet ne që të argumentojmë bashkarisht rëndësinë dhe arsyeshmërinë e përmbylljes së këtij procesi të stërzgjatur. Ne i kemi plotësuar kriteret teknike që moti dhe çdo vonesë veçse do të shtonte zhgënjimin tonë në raport me BE-në. Me rëndësi është që ne të vazhdojmë përmbushjen e detyrave tona të shtëpisë dhe të prodhojmë argumente për vendet skeptike në mënyrë që vendimmarrja nga ana e tyre të jetë pozitive dhe sa më e shpejtë.
Kasapolli: Ne kemi fatin që në Parlamentin kroat e kemi edhe një deputete shqiptare, por edhe një komunitet të organizuar mirë dhe vital. Kjo është një shtysë e madhe për ne si Ambasadë në kuptim të hapjes së dyerve të institucioneve më të larta shtetërore në Kroaci. Fakti që komuniteti ynë është mirë i pozicionuar dhe i qëndrueshëm në aspektin ekonomik na bënë neve shumë krenarë dhe më të qëndrueshëm në të gjitha rrafshet. Deputja Znj. Lekaj Përlaskaj, Unioni i shqiptarëve në Kroaci dhe shoqatat tjera lokale janë vlerë e shtuar e angazhimeve tona si ambasadë dhe si shtet dhe për këtë u jam shumë falënderues.
Sa shqiptarë jetojnë në Kroaci?
Kasapolli: Në bazë të regjistrimit të fundit në Kroaci jetojnë mbi 18.000 shqiptarë. Megjithatë, ky regjistrim është i vitit 2011 dhe besoj që ky numër është më i madh.
Kasapolli: Një prej shqetësimeve të mia nga momenti i marrjes së mandatit të Ambasadorit në Kroaci ka qenë aspekti ekonomik. Marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme politike, fatkeqësisht nuk kanë rezultuar me bashkëpunim më të thellë në rrafshin ekonomik. Kjo mbetet një sfidë e jona e cila duhet riparuar në kuptim të kthimit të Kroacisë në Kosovë dhe anasjelltas. Kroacia, ndonëse vend mik, është tërhequr nga tregu i Kosovës duke lënë hapësirë për vendet e tjera të hyjnë në treg. Qëllim imi mbetet që Kosova të shndërrohet në një hub (mbledhës) për Kroacinë në mënyrë që të luaj një rol në tregjet ku Kroacia nuk ka apo ka pasur qasje të limituar në të kaluarën. Por, gjithashtu edhe të promovojmë produktet tona në tregun kroat. Ne kemi bërë edhe hapat e parë në sektoret ushqimore, tekstilit, IT-së dhe fusha të tjera të sigurtë që rezultatet do të jenë të prekshme në të ardhmen.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...