Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) kërkoi nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara që të respektojnë konventën, e cila i obligon shtetet të ruajnë lokacionet kulturore.
Thirrja vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi se mund të sulmojë trashëgiminë kulturore të Iranit.
Drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, kujtoi se edhe Teherani, edhe Uashingtoni kanë nënshkruar konventën e vitit 1972, e cila i ndalon vendet të ndërmarrin “masa të qëllimshme që mund të dëmtojnë drejtpërdrejt ose indirekt trashëgiminë kulturore dhe natyrore” të shteteve të tjera.
Në një takim me ambasadorin iranian në UNESCO, Azoulay po ashtu tha se dy vendet kanë nënshkruar edhe një konventë të vitit 1954, për mbrojtjen e pronës kulturore në rast të konfliktit të armatosur.
Azoulay theksoi se komuniteti ndërkombëtar e ka për detyrë të ruajë dhe mbrojë trashëgiminë kulturore dhe natyrore për brezat e ardhshëm, shkruan Rel.
Të shtunën, Trump, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë disa lokacione të rëndësishme kulturore të Iranit, nëse ky i fundit sulmon personelin apo asetet amerikane, si hakmarrje për vrasjen e komandantit të forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se sulmet e tilla do të përbënin “krime lufte”.
Irani ka 22 lokacione kulturore në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Ato përfshijnë sheshin Meidan Imam – i njohur gjithashtu si Naghsh-e Jahan – në qytetin Isfahan, që është ndërtuar nga shahu Abbas I në fillim të shekullit 17.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...