Rafael Nadal konfirmoi përsëri formën e tij të mirë, teksa mundi në ATP Cup tenistin uruguaian Pablo Cuevas, duke humbur vetëm tre game gjithsej.
Në Perth, në Bregun Perëndimor të Australisë numri 1 i botës pati nevojë për thjesht 73′ lojë, për të mposhtur numrin 45 të klasifikimit ATP. Ky kompeticion përbën një risi për këtë sport, për vetë formulën e përdorur, megjithëse për hir të së vërtetës me një format të tillë u paraqit nëntorin e kaluar gjithashtu edhe Kupa Davis, aktivitet të cilin siç dihet e fitoi pikërisht Rafa me Spanjën e tij.
ATP Cup është një kompeticion i ri, që ka lindur falë iniciativës së ish-presidentit të mëparshëm ATP Chris Kermode, një aktivitet ku marrin pjesë 24 skuadra përfaqësuese në total. Skema është e qartë, 6 grupe me nga 4 ekipe, prej nga ku kualifikohen drejtpërdrejt për në fazën çerekfinale pikërisht 6 ekipet që pozicionohen të parët, por gjithashtu edhe dy vendet e dyta më të mira, me renditjen përfundimtare në fazën e grupeve që përcaktohet në bazë të numrit të ndeshjeve të fituara, përqindjen e seteve të fituar dhe në fund nëse do të jetë e nevojshme do të llogaritet gjithashtu edhe përqindja e game-ve.
Spanja bën pjesë në Grupin B, bashkë me Japoninë, Gjeorgjinë dhe Uruguain, një short i lehtë dhe tepër i favorshëm për skuadrën iberike, duke marrë në konsideratë forcën e kundërshtarëve në një grup të tillë. Kështu pasi mundi bindshëm në ditën hapëse Gjeorgjinë me shifrat 3-0, ku vetë 33-vjeçari nga Majorka kontribuoi me triumfin 6-3, 7-5 ndaj numrit 26 në rruzull Nikoloz Basilashvili, Spanja u përfaqësua sërish me po të njëjtin formacion, pra me katërshen Rafael Nadal, Roberto Bautista – Agut Pablo Carreno Busta dhe Feliciano Lopez.
Fillimisht në më pak se një orë lojë numri 10 në klasifikimin e përgjithshëm botëror Roberto Bautista – Agut mposhti 6-1, 6-2, 19-vjeçarin mëngjërash nga Montevideo Franco Roncadelli, ndërsa Rafael Nadal theu 6-2, 6-1 “raketën e parë” të Uruguait Pablo Cuevas, që përpara 3-vjetësh i pati shkaktuar Rafës një humbje tepër të hidhur, pikërisht në fazën gjysmëfinale në turneun e Rio De Janeiro-s. Fituesi i 19 titujve Slam e mbylli takimin me plot 26 goditje fituese e 7 ace dhe luajti akoma më mirë se sa në ndeshjen e parë me gjeorgjianin Basilashvili, që e vuri ndjeshëm në vështirësi në sfidën hapëse të këtij kompeticioni.
Rafa shërbeu me më tepër forcë dhe u përball vetëm me një mundësi për break nga kundërshtari. Spanja do të masë forcat me Japoninë ditën e mërkurë, në takimin përmbyllës të kësaj faze, duel që do të përcaktojë edhe ekipin fitues në Grupin B. Për momentin Spanja kryeson me 6 fitore në 6 ndeshjet e zhvilluara, ndërsa ekipi nipon pozicionohet në vendin e dytë me 5 fitore dhe vetëm 1 humbje, sidoqoftë takimin e radhës Rafael Nadal do ta ketë përballë numrit 72 në planet Yoshihito Nishioka. /SS/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...