Agim Veliu i përgjigjet Albin Kurtit për ministrat e LDK-së

14:49 | 6 Janar 2020
arbresh.info

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, është përgjigjur në kërkesën që lideri i Vetëvendosjes i bëri së fundi kësaj partie, që të dorëzojë emrat e pesë ministrave dhe një zëvendëskryeministri.

“Askush nuk mundet me na caktu kur me i dërgu emrat e ministrave”, deklaroi shkurt Veliu, raporton arbresh.info.

Tashmë ka filluar mbledhja e kryesisë së LDK-së, pak minuta para se të zhvillohet takimi ndërmjet kandidatit për kryeministër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe presidentit, Hashim Thaçi.

Në këtë takim, ata do të konsultohen për formimin e qeverisë, por pa një marrëveshje qeverisëse ndërmjet partnerëve që po negociojnë bashkëqeverisjen, LVV-së dhe LDK-së.

Takimit të kryesisë së LDK-së i ka paraprirë një takim i 28 deputetëve të kësaj, partie por nuk pati deklarime në lidhje me dakordimet e mundshme pas video mesazhit të Albin Kurtit.

Kurti bëri të ditur zëvendëskryeministrin dhe pesë ministrat e tij, duke i kërkuar emrat me ndarjen e njejtë edhe për LDK-në.

Kësaj të fundit, në mesin e ministrive i ka lënë edhe atë të Punëve dhe Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Më pas, Kurti thotë se do të bëjë të ditur edhe emrin e ministrit të ardhur nga pakicat jo serbe, dhe emrin e ministrit serb./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme