Haxhiu reagon pas vendimit për lirimin nga aktakuza të akuzuarve në rastin “Pronto”

00:03 | 4 Janar 2020
Trina Galanxhi

Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj vendimit për rastin “Pronto”.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë për transformim.

Ajo këto komente i ka barë pas vendimit të gjykatës për lirimin nga aktakuza të akuzuarve në rastin “Pronto”.

“Çuditem me ata që kërkojnë të mos komentojmë aktgjykimet e Gjykatës sepse është ndërhyrje në drejtësi…thonë ata. Çfarë drejtësie qenka kjo që amniston abuzuesit? Deklaratat tona janë ndërhyrje në padrejtësi”, është shprehur ajo, në Facebook.

“Sistemi i drejtësisë nuk ka pavarësi absolute. Gjyqtarët gjykojnë në emër të popullit prandaj edhe duhet të jenë përgjegjës e llogaridhënës para qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.

“Kjo pavarësia absolute ka bërë që gjykatat të marrin vendime skandaloze e të shërbejnë për pastrimin e abuzuesve. Në aferën Pronto sikur prokuroria që nuk bëri punën siç duhet ashtu edhe trupi gjykues, në vend të aktgjykimit dënues, amnistoi abuzuesit dhe ata që me elementë kriminal mbytën shpresën e qytetarëve tanë!”, ka shkruar deputetja.

“Sistemi i drejtësisë ka nevojë për transformim e çlirim dhe për këtë e kemi obligim të gjithë të punojmë”, ka thënë Haxhiu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme