Zeka: Qeveria e re duhet ta nisë vitin 2020 me një strategji kombëtare për zhvillimin ekonomik

14:27 | 3 Janar 2020
Arbresh.info

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se edhe pse viti 2019 ishte shpallur vit i ekonomisë nga Qeveria e Kosovës, prioritetet ekonomike janë lënë anash. “Viti 2019 është shpallur nga Qeveria vit i ekonomisë, megjithatë prioritetet ekonomike sërish janë lënë në hije për shkak të rrethanave të krijuara pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit dhe shpërbërjes së Kuvendit”, ka thënë Zeka.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se qeverisja ekonomike gjatë vitit 2019 ka qenë e zbehtë.

“Zhvillimet në aspektin e qeverisjes ekonomike në përgjithësi kanë qenë më të zbehta, gjë që ka ndikuar edhe në përkeqësimin e pozitës së Kosovës në raportin e Bankës Botërore që matë lehtësinë e të bërit biznes, në të cilin në dy vjetët e fundit kemi shënuar rënie për 17 pozita. Në anën tjetër, në këtë fundvit rezultatet janë të mangëta edhe në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja direkte dhe droja është që edhe këtë vit do ta ndjekim trendin e rënies së vlerës së investimeve të huaja. Mungesa e stabilitetit politik dhe mosfunksionimi i institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin si organin më të lartë vendimmarrës, kanë ndikuar në mosndryshim të një sërë aktesh ligjore të cilat do të kishin ndikim pozitiv në sektorin privat, siç është rasti me legjislacionin tatimor, në mënyrë më specifike Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili ka paraparë zhvendosjen e mbledhjes së TVSh-së në brendi si kërkesë e kamotshme e bizneseve”, ka thënë Zeka, duke shtuar se shpërbërja e Kuvendit ka pamundësuar shqyrtimin dhe aprovimin e ligjeve që rregullojnë funksionimin e gjyqësorit, siç është rasti me Projektligjin për Gjykatën Komerciale, i cili do të jepte përgjigje në një kërkesë të Odës Amerikane dhe komunitetit të biznesit për një gjykatë komerciale, e cila do t’i trajtonte vetëm kontestet e natyrës komerciale.

“Duke pasur parasysh rezultatet e mangëta gjatë vitit 2019, pritjet e komunitetit të biznesit për vitin 2020 dhe qeverinë e re janë të larta. Qeveria e re duhet ta nisë hartimin e një strategjiekombëtare të zhvillimit ekonomik, e cila do të ishte udhërrëfyese për të gjitha iniciativat dhe vendimet e qeverisë dhe institucioneve të tjera. Në këtë mënyrë do t’u jepej fund improvizimeve qeverisëse dhe vendimeve ad-hoc, që e kanë karakterizuar vendin në të kaluarën, sidomos në aspektin e qeverisjes ekonomike”, ka deklaruar Zeka.

Sipas tij, prioritet duhet dhënë edhe zvogëlimit të hendekut ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, duke pasur parasysh ankesat e sektorit privat për gjetjen e kuadrove adekuate të punës. “Qeveria, por edhe Kuvendi duhet ta shtojnë dinamikën e punës për sa iu përket ligjeve që përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes dhe ndikojnë në fuqizimin e sektorit privat. Krejt në fund, është e rëndësishme të ndryshohet në mënyrë rrënjësore mënyra e promovimit të potencialeve ekonomike para investitorëve të huaj”, është shprehur Zeka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme