Google ADS

Taksa dhe tregu me karakter etnik në Kosovë

17:12 | 2 Janar 2020
Arbresh.info

Pas diç më shumë se një viti të zbatimit të taksës 100 për qind ndaj të gjitha importeve nga Serbia dhe Bonjë e Hercegovina, tregu i Kosovës, në pjesën më të madhe është zbrazur nga produktet e importuara nga këto dy shtete.

Ndërkohë që në dhjetë komunat e banuara me popullatë serbe, në dyqane hasen në sasi të bollshme këto produkte, sidomos nga Serbia.

Sipas të dhënave zyrtare, thuhet se rreth 6 milionë euro janë mallra të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga shuma e përgjithshme, 4 milionë euro janë mallra nga Serbia, kurse 2 milionë të tjera nga Bosnjë e Hercegovina.

Ndryshe, para vendosjes së taksës, shuma apo vlera e mallrave të Serbisë të importuara në Kosovë arrinte në rreth 450 milionë euro, apo mbi 1.2 milion euro brenda ditës.

Stavileci thotë se nëse krahasohet me periudhën e para taksës, ka rënie deri në 99 për qind të produkteve nga këto dy shtete.

Megjithatë, edhe pse rënia e importit nga Serbia, sipas shifrave zyrtare është në 99 për qind, në komunat e banuara me shumicë serbe, në katër komunat veriore, por edhe në ato në pjesën qendrore të Kosovës, mund të hasen pa problem produkte nga Serbia. Kështu pohojnë edhe vetë qytetarët serbë që jetojnë në këto komuna.

Verica, një qytetare nga Mitrovica Veriore, thotë se mund të furnizohet me të gjithë artikujt, si edhe para taksës.

“Janë të gjitha, janë të gjitha…, vetëm paratë duhen”, thotë ajo.

Edhe Milica, po ashtu nga Mitrovica Veriore thotë se ka produkte, por ajo preferon që të furnizohet vetë në Serbi, për shkak të çmimeve më të lira sesa në tregun e Kosovës.

“Unë këtu asgjë nuk blej. Të gjitha gjërat i marr nga Serbia sepse këtu janë dyfish më të shtrenjta. Të gjitha gjërat që më duhen, shkoj me veturë dhe i marr në Rashkë dhe i sjell këtu. Këtu blej qumësht dhe bukë dhe këto gjërat e tjera i sjelli nga Serbia”, tha Milica.

Se prodhimet apo mallrat nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina janë të pranishme nëpër dyqanet nëpër komunat e banuara më shumicë serbe, nuk e ka mohuar as drejtori i Doganës se Kosovës, Bahri Berisha. Ai në një intervistë Radion Evropa e Lirë ka thënë se këto mallra janë në sasi të vogël dhe nuk ndikojnë në tregtinë ligjore të Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj importeve nga Serbia, ka ndikuar edhe te qytetarët apo blerësit në Kosovë, sidomos te popullata shumicë. Ata thonë se nuk i preferojnë produktet nga Serbia, të cilat edhe ashtu në pjesën më të madhe të tregut në Kosovë, përjashtuar komunat e banuara me shumicë serbe, tashmë janë zhdukur nga vitrinat e shitjes.

Nezafete Jakupi nga Prishtina, e cila punon në sektorin e arsimit, pranon se para vendosjes së taksës, është furnizuar me disa produkte nga Serbia, por pas zbatimit të kësaj takse, ajo thotë se as nuk ka blerë më produkte nga Serbia dhe as nuk po hasë më në këto mallra nëpër dyqane.

“Pas taksës edhe pse nuk shoh artikuj me flamuj të Serbisë, nuk furnizohem më me produkte nga këto shtete. Çmimet në disa produkte janë rritur, por jo shumë”, tha Jakupi.

Masa që ndryshoi tregun në Kosovë

Një efekt tjetër i taksës është pikërisht ndikimi i saj në rritjen e çmimeve në tregun e Kosovës.

Fidani Çerkini nga Prishtina, thotë se nuk ka në mallra nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nëpër dyqane, por çmimet në disa artikuj janë rritur.

“Ajo që vërehet është se nga zbatimi i taksës janë rritur çmimet, disa me arsye e disa pa arsye. Shembull, kafja që importohet nga Italia është shtrenjtuar, gjë që e shoh të paarsyeshme. Edhe për produktet e nevojshme ditore janë rritur çmimet, pasi shumica e produkteve janë importuar nga Serbia”, tha Fidani.

Për mungesën e produkteve nga Serbia, por edhe ato nga Bosnjë e Hercegovina, tregtarët janë përkujdesur që t’i zëvendësojnë ato me mallra të importuara nga vende tjera. Në bazë të statistikave të Doganës së Kosovës, Gjermania ka një rritje të eksporteve në Kosovë, pasuar nga Turqia, Kina, Shqipëria dhe Italia.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Zbatimi i masës për produktet nga Serbia, sipas përfaqësuesve të prodhuesve në Kosovë, ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese, rritjen e shkallës se punësimit, rrjedhimisht edhe rritjen e të hyrave financiare.

Sipas një anketë të realizuar me bizneset nga Klubi i Prodhuesve, disa nga bizneset prodhuese kanë rritur punësimin deri në 30 për qind, si dhe kanë zgjeruar edhe veprimtaritë e tyre.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rënia e konkurrencës nga Serbia, ka ndikuar që sektorë të caktuar prodhues, të jenë përfitues nga vendosja e taksës 100 për qind.

“Ndikimi ka qenë shumëdimensional sa i përket përfitimeve që i kanë pasur prodhuesit nga vendosja e tarifës 100 për qind ndaj Serbisë. Ka shumë sektorë që kanë përfituar. Do ta veçoja sektorin e përpunimit të ushqimit, pijet freskuese, vaji dhe shumë të tjera. Po ashtu, ka pasur rritje edhe sektori i përpunimit të drurit, sektori i përpunimit të plastikës. Këto kanë qenë sektorë që i kanë pasur konkurrencë nga Serbia”, shprehet Panxha.

Ndërkohë, në Kosovë pritet që në pushtet të vijnë dy ish-partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto subjekte që po synojnë formimin e koalicionit qeverisës, kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet më masë të plotë të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Por, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga qeveria e re, që të mos e heqë taksën, pasi sipas tij, një veprim i tillë mund të ndodhë vetëm kur Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës.

“Qeveria e ardhshme bën shumë gabim nëse eksperimenton të heqë taksën, përkundrazi asnjë borxh nuk ia kemi faktorit ndërkombëtar sa i përket taksës”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndryshe, krahas efekteve ekonomike, taksa ka bartur edhe efekte politike. Vendosja e taksës nga Qeveria në largim e Kosovës, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo anulimin e kësaj takse, duke e cilësuar atë në kundërshtim me parimet e marrëveshjes së CEFTA-s për lirinë e qarkullimit të mallrave.

Vendosjen e taksës, Beogradi e ka cilësuar si pengesë edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë arsye, që nga vendosja e kësaj mase, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur i ndërprerë.

Në anën tjetër, autoritetet në Prishtinë, përkatësisht Qeveria në largim e Kosovës, kishte deklaruar në vazhdimësi se taksa 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut, por pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën.

SHPËRNDAJE

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme