Google ADS

Mjekët ia lanë sfungjerin në trup, amerikania dëmshpërblehet me 10.5 milionë dollarë

11:34 | 1 Janar 2020
A. B.

Një grua nga Kentucky i Shteteve të Bashkuara është dëmshpërblyer me 10.5 milionë dollarë për shkak se mjekët ia kishin lënë një sfungjer në trup pas operacionit.

Sfungjeri kishte përmasa prej 18 inçësh dhe i ishte lënë në trup gjatë një operacioni. Sidoqoftë, gruaja nuk e kishte ditur këtë dhe e kishte mbajtur sfugjerin në trup për disa vjet.

Ngjarja kishte ndodhur kur ajo i ishte nënshtruar një operacioni në zemër në vitin 2011, ndërsa gruaja mori vesh se në trup kishte sfungjer tek pas katër vjetësh përmes një analize.

Gjatë kësaj kohe, sfungjeri i kishte lëvizur nëpër trup dhe i kishte shkaktuar dhimbje. Për këtë arsye, mjekët ia kishin amputuar njërën këmbë dhe gruaja kishte edhe probleme me organet e brendshme.

Kështu, një gjykatë vendosi që këtë grua ta dëmshpërblejë me 8 milionë dollarë për dhimbje dhe vuajtje, 1 milion dollarë për dëme ndëshkuese dhe 1.4 milionë dollarë për shpenzime mjekësore.

Megjithatë, spitali ku ishte bërë operacioni tha se do të ankohet ndaj këtij vendimi, duke pretenduar se amputimi i këmbës nuk ka qenë pasojë e sfungjerit në trup dhe se ky objekt ishte në trupin e gruas për një kohë shumë më të gjatë, nga viti 1988, kur ajo i ishte nënshtruar një operacioni tjetër, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme