Google ADS

Nuk ka ende rezultate për helmimin nga zarfet a ardhura nga Serbia

16:10 | 31 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Prokuroria e Shtetit ende nuk i ka pranuar rezultatet e mostrave të zarfeve me votat nga Serbia, shkaku i të cilëve mbi 20 zyrtarë të KQZ-së përfunduan për trajtim në QKUK.

Madje, në këtë institucion duket se as që kanë informata se kur do t’i kenë në dorë këto rezultate. Zyrtarë të Prokurorisë thonë se janë intervistuar disa persona për këtë rast, derisa vazhdojnë që ta mbajnë sekret shtetin se ku janë dërguar këto mostra për ekzaminim.

Ishte 13 tetori i këtij viti kur mbi 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve filluan të ankoheshin për gjendjen e tyre shëndetësore, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura.

Plot 26 zyrtarë që për detyrë kishin numërimin e zarfeve, pak minuta pas hapjes së këtyre zarfeve u përballën me reaksione alergjike, si vjellje, skuqje të fytyrës e kruarje.

Të gjithë këta persona fillimisht ishin trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Fehmi Agani’, në Prishtinë, derisa ata në gjendje më të rëndë ishin referuar për në QKUK, ku ishin trajtuar për disa ditë.

E për të mësuar arsyen që shkaktoi reaksionet alergjike tek verifikuesit, Prokuroria e Shtetit i ka dërguar mostrat e zarfeve me votat nga Serbia jashtë vendit për ekzaminim. Por, edhe pas gati dy muajsh, ata nuk i kanë në dorë rezultatet.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës deklarojnë se ende janë në pritje të këtyre rezultateve.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj i ka thënë Gazetës Express se janë duke u zhvilluar hetimet për këtë rast dhe se deri tani janë intervistuar disa persona.

Sipas Ulajt, rezultatet e këtyre analizave ende nuk kanë arritur në Kosovë.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se janë duke u zhvilluar hetimet. Deri tani janë intervistuar disa persona lidhur me këtë çështje, ndërsa, sa i përket rezultateve të analizave, jemi në pritje të tyre, pasi që ende nuk kanë arritur në shtetin tonë”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

Gazeta Express ka tentuar sërish që të marrë një përgjigje rreth shtetit dhe laboratorit ku janë dërguar për ekzaminim këto mostra, por në Prokurori nuk kanë dhënë detaje.

Ndryshe, të dielën e 13 tetorit teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore. 12 prej tyre përfunduan të shtrirë në spital.

Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj – Berisha, në një konferencë për media, kishte thënë se rezultatet që i kanë marrë nga Instituti i Biokimisë, rreth zarfeve të ardhur me vota nga Serbia, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë agjenti infektiv.

“Për momentin me këto rezultate të strishove që janë marrë, përjashtohet që bëhet fjalë për një sëmundje infektive, në të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti Biokimisë. Kurse strishot e marra, që i kemi marrë sot rezultatet, edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjenti infektiv”, kishte thënë ajo.

Lidhur me këtë rast, autoritetet serbe kishin deklaruar se kjo është përpjekje për manipulim.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhej në reagimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se gjatë ditës së diel, anëtarët e kësaj partie janë larguar nga hapësirat e Qendrës për Numërim të Votave në Prishtinë, duke shtuar se aktualisht po ndodh vjedhja e votave serbe, për ta përmbysur vullnetin zgjedhor.

Ndërkohë reagime për rastin ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV kanë kërkuar që autoritetet shtetërore t’i hetojnë shkaqet e helmimit.

“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, theksohej në reagim.

“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhej në reagim.

Zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme