Çfarë të bëjmë në 31 dhjetor, që ta nisim mbarë 2020-n

01:39 | 28 Dhjetor 2019
Trina Galanxhi

Nëse ju vini dorën në zjarr për parashikimet e Susan Miller, ajo vetë admironte aftësitë e jashtëzakonshme të Walter Mercado. “Ai ishte individi origjinal, largpamës dhe mendoj se jam e suksesshme pjesërisht falë tij. Të gjithë astrologët mbështeten tek ai sepse ai hapi rrugën për ne,” shkruan Miller për Time. Astrologu nga Puerto Rico, më i famshmi i Amerikës Latine, u nda nga jeta në fillim të nëntorit dhe siç thotë dhe Miller, “do të na mungojë sepse s’mund të ketë një të dytë si Walter Mercado.”

Mercado mban meritat e popullarizimit të astrologjisë në botën moderne sepse ua prezantonte parashikimet dëgjuesve sa më qartë, sa më thjeshtë të ishte e mundur. Para se të vdiste, ai përgatiti artikullin e mëposhtëm, ku i tregon secilës shenjë çfarë duhet të bëjë natën e fundit të vitit për mbarësi gjatë 2020-s.

Dashi

Ju jeni zjarri, prandaj qiriu i kuq nuk duhet të mungojë. Më 31 dhjetor, gjeni një rrobë që ju kujton diçka negative, griseni dhe hidheni. Shkruani në një letër ngjarjen negative të 2019-s. Ndizni një zjarr dhe digjni letrën. Porsi letra bëhet hi, edhe problemi juaj zhduket. Bëni banjë me lule të kuqe, parfum, gjethe jobo, bajame dhe ujë. Për fat, mbani me vete një diamant ose kuartz të bardhë. Vishuni me të kuqe dhe të arta. Deklaroni që ndryshimet e 2020-s do të jenë pozitive dhe se ju pret një e ardhme e paqtë, plot dashuri dhe begati.

Demi

Ngjyra juaj me fat është e gjelbërta, prandaj ju duhet një qiri i gjelbërt. Ju jeni një shenjë toke. Më 31 dhjetor duhet të mbillni një lule shpatore ose një bimë tjetër që ju pëlqen. Vendosni pesë monedha në vazo ose në dhe, nën rrënjët e bimës. Teksa bëni këtë ritual, vizualizoni gjithë gjërat që doni të nisni dhe të realizoni me sukses gjatë 2020-s. vishuni në të gjelbra dhe të arta për mbarësi. Bëni një banjë me borzilok, parfum, mjaltë dhe kanellë. Orën e parë të 2020-s, hidhni katër monedha në një kryqëzim që t’ju vijnë para nga shumë burime.

Binjakët

Binjakët duhet të ndezin një qiri të verdhë ditën e fundit të 2019-s. Binjakët janë shenjë ajri dhe prandaj duhet të ndezin temjan për të pastruar ambientin nga energjitë negative dhe për të theksuar harmoninë dhe paqen në shtëpi. Gjithashtu duhet të pastroni shtëpinë dhe zyrën dhe të vendosni akull në qoshe që energjitë negative të ngrijnë kur të vijnë drejt jush. Mbani një figurë kristali çift: për shembull një nuse dhe një dhendërr, këpucë të reja, butona, vathë. Vishuni në të gjelbër dhe të artë. Bëni një banjë me majdanoz, mjaltë, kanellë, karafil të tharë, parfum dhe ujë.

Gaforrja

Më 31 dhjetor, ndizni një qiri të bardhë, një ngjyrë që ju përfaqëson si fëmijë i hënës. Dekorojeni shtëpinë me zambakë, gardenia ose trëndafila të bardhë. Lutuni me rruzore ose recitoni mantran tuaj të preferuar teksa imagjinoni veten dhe familjen të lumtur. Kujtoni edhe ata që nuk jetojnë më. Mëngjesin e 31-shit, ecni rreth e rrotull shtëpisë me një gotë a filxhan me ujë në dorë që të mblidhni energjitë negative. Vishuni në të argjendta me aksesorë të artë. Perlat nuk mund të mungojnë në veshjen tuaj. Bëni një banjë me lule të bardha, qumësht, myshk, parfum dhe ujë.

Luani

Luani është shumë tradicional. Do t’ju nevojitet shumë energji dhe kurajo për ta nisur 2020-n me pozitivitet. Ngjyra juaj me fat është portokallia. Qiriu dhe veshja juaj për ditën e fundit të 2019-s dhe ditën e parë të 2020-s duhet të jetë portokalli ose e verdhë si dielli. Pastroni ambientin dhe hiqni qafe çdo send të thyer, të pavyer apo që s’ju duhet më. Është e nevojshme të eleminoni energjitë e ndenjura dhe të bëni vend për gjërat e reja që ju presin. Shkruani në një copë letër gjithë gjërat që doni të bëni në 2020-n dhe lexojeni çdo ditë. Nëse jeni beqarë ose keni probleme me partnerin, blini një qiri në formë zemrë dhe ndizeni para mesnate. Bëni një banjë me 12 gjethe dafine, gjethe të pemës së portokallit, mente, parfum, mjaltë, kanellë dhe ujë.

Virgjëresha

Çdo gjë që bëni me besim dhe zell këtë vit, do të manifestohet në 2020-n. Duhet të riprogramoni veten dhe të shpreheni më pozitivisht. Përpiquni të mos kritikoni ose gjykoni. Për begati dhe mbarësi, merrni tre fije gruri dhe vendosini në shtëpi ose zyrë. Mbajini aty për 12 muajt e 2020-s. Fërkoni një vezë në trup, ose një frut dhe më pas hidheni larg shtëpisë. Deklaroni që veza a fruti ka thithur gjithë energjitë negative brenda jush. Lutuni ose recitoni një mantra për të ngritur humorin. Bëni një banjë me shtatë pika nga parfumi juaj i preferuar ose një vaj esencial, mjaltë, kanellë dhe ujë.

Peshorja

Ju përfaqësoni dashurinë dhe bukurinë, drejtësinë dhe balancën në botë. Teksa ecni nëpër shtëpi, bjerini zilkave, bekoni çdo dhomë dhe shkëmbejeni energjinë negative me atë pozitive. Ngjyra juaj me fat është roza, që mund ta kombinoni me të argjendtë apo të artë ditën e 31 dhjetorit. Sa më e fortë roza, aq më mirë. Dekoroni shtëpinë me lule natyrale. Ndizni një temjan trëndafili ose një aromë çfarëdo. Bëni një banjë me petale trëndafili, gjethe fieri, parfum, mjaltë, kanellë dhe ujë. Shkoni në kishë ose në një vend të shenjtë për ju dhe premtoni që mendimet negative do t’i zëvendësoni me mendime pozitive. Mbani në trup një kuartz rozë për fat në dashuri.

Akrepi

31 dhjetori është një ditë e veçantë për ju pasi jeni shtrigani i vogël i zodiakut. Më 31 dhjetor do të mbyllni një cikël, kapituj të jetës suaj do t’i lini pas. ndizni një qiri të kuq dhe një të bardhë. Bëni një listë me gjithë gjërat që doni të bëni përgjatë 2020-s dhe futeni në një zarf. Zarfin hapeni vitin tjetër. Në shtëpi, vendosni një gotë me ujë dhe kamfor në secilën dhomë. Rrethojeni veten ose dekoroni shtëpinë me sa më shumë lule si zambakë apo lule të tjera me aromë në nder të engjëjve që ju ruajnë. Bëni një banjë me verë të kuqe, lule të kuqe, sheqer kafe, mjaltë, kanellë dhe ujë. Vendosni një kryq ose një simbol mbrojtës në derë.

Shigjetari

Ditën e fundit të 2019-s ndizni qirinj blu kudo në shtëpi. Spërkasni ujë të shenjtë në çdo dhomë a qoshe për një vit të mbarë. Çdo nuancë e blusë është ngjyra juaj. Kombinojeni me të artë më 31 dhjetor për t’i dhënë fund këtij viti të vështirë dhe për të nisur një vit të begatë. Duhet të keni katër mollë të kuqe në shtëpi ngjitur me ikonën e atij që konsideroni të shenjtë, për shëndet, para, paqe dhe dashuri. Hapni Biblën dhe lexoni Psalms 23 dhe 91 ose recitoni mantra. Bëni një banjë me borzilok, mente, piper, lulet tuaja të preferuara dhe ujë.

Bricjapi

2020 nis me shumë energji planetare në shenjën tuaj, prandaj duhet t’i jepni lamtumirën gjithë përvojave negative të 2019-s dhe jini mirënjohës për mësimet e nxjerra nga ato përvoja. Deklaroni që ndryshimet e vitit të ri do të jenë pozitive dhe se do t’i pranoni me përulësi. Universi ju detyron, për mirë a për keq, të doni veten dhe të çliroheni nga pengesat që s’ju lejojnë të jeni të lumtur. Vishuni me ngjyra toke dhe aksesorë të artë. Duhet të hani patjetër 12 kokrra rrushi në mesnatë, një dëshirë për çdo muaj të 2020-s. Në altarin tuaj duhet të keni lule dhe qirinj të bardhë. Bëni banjë me ujë kokosi, ujë deti, shi, lule të bardha dhe parfum.

Ujori

2019-a ishte vit ndryshimesh dhe më shumë ndryshime ju presin në 2020-n. Vishuni me vjollcë, livando dhe të arta. Një aksesor prej ametisti kompleton veshjen tuaj. Më 31 dhjetor ndizni një qiri të bardhë, një blu dhe një temjan dru sandali. Harmonizoni, pastroni mjedisin, kërkoni mbrojtje dhe paqe. Banja juaj duhet të ketë trëndafila të kuq, bajame, mjaltë, kanellë, parfum dhe ujë. Premtojini vetes se do të rilindni në 2020 dhe do të keni një qëndrim pozitiv ndaj të ardhmes.

Peshqit

Ju jeni një peshk dhe i përkisni ujit. Keni notuar në ujë të turbulluar, por ia keni dalë mbanë gjatë 2019-s. Ndiqni një qiri të bardhë dhe qirinj të tjerë në ngjyrat e detit. Vishuni me blu nate me aksesorë të artë ose argjendtë. Mbani me vete aksesorë prej guri, korali ose madre di perla. Shkoni në liqen, det, a lumë dhe hidhni në të lule të bardha. Kërkoni që 2020-a të jetë një vit i bekuar. Bëni një banjë me petale trëndafili, lule të bardha, borzilok, qumësht dhie, mjaltë, kanellë, parfum dhe ujë. / Anabel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme