Google ADS

Shtëpia e pabanueshme, familja me 6 persona fle në hambar

23:57 | 27 Dhjetor 2019
Trina Galanxhi

Emisioni “Stop” ka udhëtuar në fshatin Buran, rreth 6 km larg komunës së Niklës, një zonë e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor. Vjollca Tufa tregon, se që nga dita e tërmetit, ajo jeton në hangarin e barit bashkë me familjen e saj, që përbëhet nga 6 persona. Ata kanë kërkuar çadër, pasi nuk mund të jetojnë aty. Mirëpo iu është thënë, se çadra s’ka.

Vjollca Tufa: Ne s’mund të banojmë në shtëpi, se muret janë çarë komplet. Kam 4 fëmijë dhe s’mund të banojmë brenda.

Gazetarja: Hyjmë të shohim pak sa është dëmtuar shtëpia?

Vjollca Tufa: Po! Fëmijët nuk pranojnë të hyjnë brenda, ngaqë e shohin kështu të prishur, nuk mundet të jetosh. Binin pjesë të tavanit, suvaja binte në tokë.

Gazetarja: Ku jeni drejtuar për problemin që keni? Keni shkuar në komunë për të kërkuar ndihmë?

VjollcaTufa: Po, kemi çuar fotot në komunë dhe ata kanë shumë, nuk kanë ardhur për ta parë fare. Do vijmë, do vijmë, por nuk kanë ardhur.

Gazetarja: Po çadër ju kanë ofruar?

Vjollca Tufa : Jo, kanë ardhur shumë pak na kanë thënë dhe nuk kemi t’ju japim. Kemi gjetur zgjidhje që jemi fuur tek hambari i barit.

Gazetarja: Pra kjo është banesa juaj e re që prej 26 Nëntorit?

Vjollca Tufa : Po! Jemi futur këtu dhe s’kemi çtë bëjmë. Fëmijët prej frikës, nga llamarina, prej shiut, prej erës, pikojnë. S’është gjë kjo, ky është hambari i barit. S’kemi tjetër zgjidhje. Brenda shiu, era, i ftohti, çfarë jete. A jetohet këtu?

Nxënësit e shkollës Fiqiri Baltëza në Elbasan kanë dhënë 133 mijë lekë për këtë familje. Ndërsa gazetarja e “Stop” i është drejtuar njësisë administrative Nikël. Besnik Deliu, administratori i njësisë thotë, se nuk kanë çadra për momentin, por pritet të vijnë. Ndërsa për sa i përket inspektimit, nuk kanë shkuar, pasi dy grupet janë në terren.

Besnik Deliu: Nuriu ka ardhur tek unë personalisht, ka ardhur dy ditë pas tërmetit dhe më ka kërkuar një çadër. Nga ndihmat që u ndanë, Nuriut i është çuar ndihma. Kurse për çadrat nuk është në dorën time, unë i kam bërë kërkesë Bashkisë dhe Ministrisë dhe Emergjencave Civile të Qarkut Durrës dhe po presim nga momenti në moment të vinë çadrat.

Gazetarja: Pra për momentin nuk keni çadra?

Besnik Deliu: Nuk kemi çadra për momentin.

Gazetarja: Grupe inspektimi pse nuk i ka shkuar?

Besnik Deliu: Grupet e Inspektimit janë në terren dhe nuk kanë arritur deri tek Nuriu, por megjithatë meqë personi është ankuar tek juve, ne shkojmë tani në moment shohim situatën e personit.

Administratori dhe arkitektja Xhoana Mihalaj shkuan për të parë shtëpinë.

Arkitektja thotë, se shtëpia është e pabanueshme dhe duhet rikonstruksion i çatisë dhe i një pjese të mureve. Për shkak të kësaj, administratori thotë se do sigurojë për familjen një çadër./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme