Don Lush Gjergji: Lutem që vendi të gjejë zgjidhje për situatën politike

18:18 | 25 Dhjetor 2019
L G

Besimtarët e krishterë si në të gjithë botën edhe në Kosovë sot festojnë Krishtlindjet, një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Për të folur rreth kësaj feste, në studion e T7, ka qenë i ftuar zyrtari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Lush Gjergji.

Ai ndër tjerash ka folur për situatën politike në vend duke thënë se disa nga politikanët kosovarë nuk e kanë në mendje unitetin e popullit por vetëm interesin personal. Ai thotë se politikën vendore e ka kapur bajraktarizmi modern.

“Unë mendoj se ne duhet t’i japim shembull popullit. Ne duhet të jemi shembull dhe model. Sa është secili e matë vetveten. Një gjë është shumë e nevojshme në këtë moment. E mira e përbashkët fatkeqësisht pak është e pranishme në zemrën e shqiptarëve. Prej një kolektivizmi siç kemi qenë kemi kaluar në një lloj bajraktarizmi modern”, ka thënë Gjergji.

Tutje Gjergji është shprehur se lutet që vendi të gjejë zgjidhje sa i përket problemeve në situatën politike.

“Njerëzit të jenë të hapur ndaj njëri-tjetrit. Të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, të shtetit, etj. Zoti t’i ndryshojë mendjen apo zemrat e njerëzve që janë në pozitën vendimmarrëse në mënyrë që e mira të jetë e përbashkët”, ka deklaruar ai.

Don Lush Gjergji ka treguar po ashtu edhe për takimet që i ka pasur me liderët e politikës kosovare ka thënë se u ka shpjeguar politikanëve se e mira universale është ajo më e mira për popullin dhe se nuk duhet të jenë vetjak në këtë aspekt.

“Ne me ta flasim për atë se çka duhet të jetë rruga e bisedimit. Kjo është pika e cila për mendimin tim është e rëndësishme. E mira e përbashkët apo universale është e mira e të gjithëve. E mira e veçantë, apo personale, apo partiake ajo është vetëm një e mirë vetjake.  Mungesa e vetëdijes është atëherë kur unë e definojë vetën si një arbitër dhe them është ashtu siç them unë”, ka thënë Gjergji.

Tutje Vikari i Përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës duke iu përgjigjur pyetjeve për religjionin që i përket treguar po ashtu se përse priftërinjtë vendosin që gjatë gjithë jetës të qëndrojnë të pa martuar.

“Që të jemi gjithmonë në shërbim të popullit. Prandaj familja jonë, është populli jonë. Kisha jonë dhe dashuria jonë mbi të gjitha është për zotin. Do të thotë që të jemi krejtësisht të lirë që t’i përkushtohemi Zotit”, ka deklaruar Gjergji.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme