Krishtlindjet festë pushimi zyrtare, ja sa ditë përfitojnë shtetet kudo në botë

09:37 | 25 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Ditët e pushimit janë një moment i rëndësishëm për të gjithë familjet që të mblidhen bashkë apo edhe për individë të caktuar që të pushojnë nga ditët e gjata dhe stresuese të punës. Ndaj dhe festat e fundvitit shihen si mundësi të mira që të përfitohet për të pasur ditë të tilla. Mirëpo, jo të gjithë shtetet kanë festa të njëjta, aq më pak ditë pushimi zyrtare të njëjta. Meqenëse jemi në festën e Krishtlindjeve, e cila celebrohet nga të gjithë ndjekësit e fesë së krishterë dhe ortodokse edhe në Shqipëri, le të zbulojmë se sa ditë pushimi ka në secilin shtet të Europës.

Në Shqipëri, festë zyrtare është vetëm data 25. Megjithatë ka disa kompani, kryesisht të huaja, që e kanë mbyllur zyrën këtë javë dhe rifillojnë punë me datë 6 janar, po shumë pak ama!

Por, edhe për administratën publike, ndonëse është vetëm 1 ditë pushim për Krishtlindje, ata duket se do të kompensohen për Vitin e Ri. Ditën e djeshme, qeveria caktoi ditë pushim dhe 3 janarin për administratën publike, duke bërë që puna për ta të fillojë në 6 janar, pas një jave pushime.
Shtete të cilat kanë shtuar bujarinë në dhënien e ditëve të pushimit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të cilit shtet, janë:
-Italia. Në shumë zona të shtetit tonë fqinj ditët e pushimit zyrtar përfshijnë tre të tilla. Kjo daton nga shumë vite më parë dhe është bërë traditë tashmë në këtë shtet.

-Finlanda: Edhe ky shtet ka tre ditë pushimi zyrtare me rastin e Krishtlindjeve.
-shtete të tjera ‘bujare’ janë edhe Estonia, Letonia. Më pas ndjekin pjesa më e madhe e Europës e cila ka dy ditë zyrtare pushimi që pasojnë datën 24.

-Më ‘dorështrënguarit’ renditen shtete si : Ballkani (Edhe Shqipëria), Franca, Spanja me vetëm 1 ditë pushimi.

-Në vende me popullsi shumë të lartë të fesë muslimane si Gadishulli i Arabisë Saudite dhe Afrika Veriore, kjo festë nuk është ditë pushimi zyrtare.

Në botë, vendi me numrin më të madh të ditëve zyrtare të pushimit (në total në vit) është India me 21 ditë e ndjekur nga Kolumbia dhe Filipinet me 18. Kina dhe Hong – Kongu kanë 17 ditë zyrtare pushimi, ndërsa Tajlanda, Turqia dhe Pakistani gëzojnë nga 16 ditë. Japonia, Argjentina dhe Suedia llogarisin 15 ditë pushimi zyrtare në vit.

Avantazhet e ditëve të pushimit kanë të bëjnë me faktin se njerëzve iu jepet më shumë kohë për të qenë me familjen si dhe për t’iu dedikuar argëtimit. Ekspertët e sjelljeve sociale thonë se ato gjithashtu shërbejnë për të rritur ndërveprimin social dhe produktivitetin. Punonjësit kanë mundësi që të clodhen dhe më pas t’i dedikohen punës me një rendiment më të lartë. Por, kanë edhe anën tjetër të medaljes, pasi ndikojnë në ngadalësimin e transaksioneve që mund të bëhen përmes bankave, si dhe për sektorin financiar. Financat duhet të presin për pak kohë për t’u vënë në lëvizje, megjithatë qeveritë gjejnë mënyra për të kompensuar këto ‘humbje’./Monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme