“Vendimi i Arabisë Saudite për rastin Khashogi, tallje me drejtësinë”

10:17 | 24 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Bordi publikues i gazetës “Washington Post” lidhur me vendimin e gjyqësorit të Arabisë Saudite për çështjen e gazetarit Jamal Khashoggi ka reaguar nëpërmjet një artikulli me titull “Vendimi i Arabisë Saudite për Khashoggin tallje me drejtësinë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Arabia Saudite: Dënim me vdekje për 5 persona në rastin e vrasjes së Khashoggit

“Arabia Saudite, lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi ka marrë një vendim i cili tallet në mënyrë të paturpshme me drejtësinë”, thuhet në artikullin në të cilin pavarësisht se 5 persona u dënuan me vdekje dhe 3 të tjerë me burgim është shprehur reagimi për “pastrimin” dhe mos drejtimin e asnjë akuze ndaj këshilltarit mbretëror, Suud al-Qahtani dhe ish-zëvendës shefit të inteligjencës saudite, Ahmed al-Asiri të cilët janë emra të afërt me princin saudit, Muhammed bin Selman.

– “Rezultati i gjykatës është një turp kundër familjes Khashoggi”

Në artikull thuhet se “Rezultati i gjykatës është një turp ndaj familjes Khashoggi dhe ndaj të gjithë atyre që kërkojnë një llogaridhënie të vërtetë në këtë çështje, përfshirë edhe shumicën dypartiake në Kongresin Amerikan”.

“Pranimi i vendimit në fjalë nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse është një gabim moral është edhe i rrezikshëm”, thuhet në artikullin ku paralajmërohet se “Kjo situatë do t‘i dërgojë drejtuesit të pakujdesshëm saudit (Muhammed bin Selman) mesazhin se aventurizmi i vrasjes tolerohet”.

Ndër të tjera në artikull është kritikuar edhe vendimi i prokurorit saudit se vrasja e Khashoggit nuk ishte planifikuar më parë ndërsa lidhur me këtë rikujtohet se në raportin e Raportueses së posaçme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, është konstatuar se vrasja e Khashoggit ka qenë një “ekzekutim i qëllimshëm dhe me paramendim”.

– Kritika ndaj qëndrimit të Trumpit

Në artikull vëmendja është tërhequr edhe në qëndrimin e qeverisë së Donald Trumpit lidhur me këtë vrasje, ku është shprehur opinioni se “Po të mos ishte mbështetja e presidentit Trump, nuk do të ishte e mundur që Muhammed bin Selman të pengonte vendosjen e drejtësisë në mënyrë kaq të qetë”.

Artikulli i bën thirrje Kongresit Amerikan që të kërkojë nga drejtori i CIA-s sa më shpejtë të jetë e mundur një raport të detajuar mbi vrasjen e Khashoggit.

– Vendimi i gjykatës së Arabisë Saudite për Khashoggin

Kryeprokuroria e Arabisë Saudite njoftoi se ka dënuar me vdekje 5 të akuzuar si dhe 3 të tjerë me gjithsej 24 vite burg në rastin e vrasjes së gazetarit saudit Khashoggi në tetor 2018 në ndërtesën e Konsullatës saudite në Stamboll.

Ndërkohë që nuk është drejtuar asnjë akuzë ndaj Suud al-Qahtani i cili njihet si personi që ka drejtuar vrasjen e Khashoggit. Po ashtu Prokuroria saudite nuk ka drejtuar akuza as ndaj ish-konsullit saudit në Stamboll, Mohammed al-Otaibi i cili ka gisht në vrasjen e Khashoggit. Ndër të tjera Prokuroria njoftoi edhe lirimin e ish-zëvendës shefit të inteligjencës saudite, Ahmed al-Asiri i cili është i përfshirë në vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme