Humbi djalin nga përdorimi i drogës, Arjeta sot ndihmon të tjerët me Qendër Këshilluese

10:08 | 22 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Humbi djalin e saj nga përdorimi i lëndëve narkotike.

E pas një kohe arriti të plotësojë amanetin e tij, krijimin e një qendre këshilluese që do të ndihmojë shokët e shoqet e tij që janë të varur nga përdorimi i drogës.

Arjeta Musliu nga Ferizaj, ka katër muaj që ka hapur Qendrën Këshilluese “Këshillimi” e cila po u del në ndihmë personave që përdorin lëndë narkotike dhe jo vetëm. Në këtë qendër marrin këshilla edhe familjarët e tyre e që në të shumtën e rasteve janë edhe nënat.

Ajo ka shprehur shqetësimin për numrin e madh të këtyre personave e në veçanti për moshën e re të tyre.

Prej rreth 150 personave që marrin këshilla në këtë qendër, deri më tani 11 prej tyre kanë arritur të largohen tërësisht nga lëndët narkotike.

Musliu në një intervistë dhënë për arbresh.info ka thënë se Qendra e Këshillimit ka qenë ide e djalit të saj.

“Ka qenë një dëshirë e përbashkët, dëshirë e djalit tim që fizikisht nuk është në mesin tonë. Ka ndodhë gjatë një beteje, periudhe rehabilitimi, është ngjallë dëshira dhe në fund e thash si ide a muj me bo diçka të tillë me i ndihmu shokët e mijë. Qendra është hapur qe 4 muaj, dhe është shumë e nevojshme. Po funksionon në nivel të Kosovës. Është më e pakta që mundemi me ba në krahasim me nevojën. U bë një bujë e madhe dhe nënat e pranuan shpejtë, pas tyre rrjedhë ecuria e përdorueseve”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e kësaj qendre ka thënë se aktualisht këshilla marrin 170 persona, dhe jo vetëm nga Kosova.

“Ka kaluar shifrën 170 e familjarëve që po kërkojnë ndihmë, kemi klientë nga Tirana dhe Maqedonia”, ka thënë ajo.

Baballarët janë të rezervuar në përkrhajen e narkomanëve për shërim

Nënat janë ato që në të shumtën e rasteve u qëndrojnë në krah këtyre fëmijëve e të rinjve, baballarët kanë rezerva me shfaqje në publik.

“Të gjithë këta familjarë që kanë ardhur për të kërkuar shërbimet tona. Mungesa e baballarëve është shumë e madhe. Prej të gjithëve, mund të them se kam takuar 10 apo 12 baballarë. Shqetësimi është edhe te ata, por besoj se krenaria e madhe superioriteti i babës që ende ekziston. Nuk e di çka po i ndanë baballarët të vinë e të kërkojnë trajtim ose me tregu shqetësimin dhe mbështetjen për fëmijët e tyre. Në Qendër vinë kryesisht nënat, kemi edhe motra apo vajza të axhës”, ka thënë ajo.

Musliu ka shtuar gjithashtu se statistikat e publikuara në Kosovë nuk janë reale.

“Shqetësuese është mosha e përdorueseve sepse ka rënë në 13 vjeç. Statistikat po thonë se ka stagnuar nga 21 në 16 ose mua më vjen 16 apo 17 vjeçar, por ai e dëshmon se është përdorues qe 3 vite e po kthehet në moshën 13 vjeçare. Sipas gjinisë jemi 1/5 por edhe gjinia femërore është e madhe”, ka shtuar ajo.

Sipas saj çdo ditë po ndodhë mrekulli në këtë qendër me personat që po largohen nga përdorimi i lëndëve narkotike.

“Po e them se çdo ditë po ndodhë mrekulli, shoku jo konsumues po e sjell shokun tjetër me një ligjëratë, 1 orë që e kemi bë. Nëna që e obligon ose bjen fëmijën është e pamundur që ai të mos e sjell një fëmijë tjetër. Gradualisht i kemi aktualisht 11 përdorues që kanë abstenuar. E kemi rastin prej 3 muajve dhe këtë pjesën e fundit më dy javë, dhjetë ditë, një javë. Ne i detyrojmë që çdo dy javë të dëshmohet kjo përmes testit të analizave”, ka shtuar ajo.

Musliu ka bërë të ditur gjithashtu se nuk ka përkrahje të mjaftueshme nga Institucionet por u ka bërë thirrje që të ndihmohet./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/2418112045172945/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme