Volejbollistet e UP-së triumfojnë në Universiadën e Dubrovnikut

09:13 | 22 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka triumfuar në Universiadën e Dubrovnikut, në disiplinën e vjolejbollit për femra, e mbajtur në Kroaci.

Ekipi i studenteve të UP-së, me trajner Bahri Gjinovcin, ka mposhtur në finale ekipin e Universitetit të Zagrebit nga Kroacia.Studentet e UP-së kanë qenë të pamposhtura gjatë gjithë universadës, duke mos humbur asnjë set të vetëm në të gjitha fazat e garës.

Madje, lojtarja më e mirë e turneut u zgjodh studentja e UP’së Blinera Jaha.

Dekani i FEFS-it, prof. asoc. dr. Musa Selimi, ka thënë se garat e tilla dëshmojnë për kualitetin e studentëve të UP-së dhe të sportistëve që ka vendi ynë.“Ne që nga fillimi kemi besuar në vajzat e representacionit, për shkak të nivelit të lartë që kanë treguar edhe në garat paraprake dhe gjatë studimeve. Me këtë fitore, ne ngritëm lart emrin e fakultetit, UP-së dhe të Kosovës”, theksoi dekani Selimi.

Fitores iu gëzua edhe trajneri, msc. Bahri Gjinovci, i cili ka theksuar që studentët e UP-së tregojnë çdoherë paraqitje fantastike në të tilla gara ndërkombëtare.Suksesin e FEFS-it e ka mirëpritur edhe rektori i UP-së prof. dr. Marjan Dema, i cili ka motivuar studentet që të vazhdojnë të studiojnë e të punojnë me vullnet, sepse me këtë i bëjnë nder vetës dhe shoqërisë.

Ekipi i studenteve të UP-së që përfaqësuan edhe Kosovën në këtë garë përbëhej nga studentet: Florentina Deliu, Egzona Geci, Leonita Hoxha, Mihane Gashani, Donika Xhemajli Bajraktari, Sherife Behrami, Blinera Jaha, Fjolla Hyseni, Valmira Ramadani, Kaltrina Fejza, Xhudjena Krruti, Dhurata Sylejmani, me trajner dr. sc. Bahri Gjinovcin dhe ndihmëstrajner Gani Ibrahimin.Në Universiadën e Dubrovnikut kanë marrë pjesë universitete nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, ekipet e të cilëve garuan në disiplinat e basketbollit dhe volejbollit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme