Google ADS

Vrasja e 2-fishtë në Patos, autori rrëfehet në polici: Më ndau motrën nga burri

00:19 | 21 Dhjetor 2019
Trina Galanxhi

Zbardhet dëshmia e gardianit të burgut Martin Skëndaj, që vrau ditën e enjte Manol Rapajn dhe Elis Kapajn për çështje nderi në poliklinikën e Patosit. Përpara policisë, Skëndaj ka pranuar krimin dhe ka konfirmuar se motivi i masakrës ishte një lidhje intime mes fqinjit të tij Manol Rapaj dhe motrës së tij. Mësohet se Skëndaj bënte fajtor Rapajn për divorcin e motrës së tij nga bashkëshorti.

Martin Skëndaj dhe Manol Rrapaj ishin fqinj me njeri tjetrin në fshatin Kuqar të Patosit. Dy familja dyert e të cilave ndahen nga një gardh tashmë i druhen fort hakmarrjes. Ngjarja e rëndë e ka zanafillën muaj më parë, kur familjet Skëndaj dhe Rrapaj kanë zbuluar një lidhje dashurie mes vajzës së familjes Skëndaj dhe Manol Rrapaj.

Motra e autorit të krimit ishte martuar në një fshat të Ballshit, por së fundmi ishte divorcuar dhe ishte kthyer te dashuria për komshiun e saj, Manol Rrapaj. Dy familjet kanë pasur përplasje të forta dhe debate kohet e fundit. Martin Skëndaj dhe babai i tij kanë shkuar tek familja Rrapaj dhe kanë kërkuar që djali i tyre të qëndrojë larg vajzës.

Për këtë arsye familja Rrapaj madje ka bërë denoncim në policinë e Patosit me arsyetimin se dy pjesëtarët e familjes Skëndaj i kishin shkuar në shtëpi më sëpatë në duar. Ky denoncim nuk ka zgjidhur gjërat, përkundrazi e ka acaruar situatën. Të bezdisur nga ky fakt Manol Rrapaj i shoqëruar nga kushëriri i tij Elis Kapaj që sapo ishte kthyer nga emigrimi i kanë kërkuar llogari 22-vjeçarit Martin Skëndaj.

Pasi janë përleshur me leva tek poliklinika e Patosit, Skëndaj duke mos ia dalë përballë dy të rinjve, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar për vdekje Manol Rrapajn dhe Elis Kapajn. Martin Skëndaj u arrestua pak minuta pas krimit dhe u sekuestrua gjithashtu edhe arma e krimit, ndërsa tani frika më e madhe është hakmarrja ndaj familjes Skëndaj./lapsi.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme