Harta e Kosovës së pavarur shokon autoritetet në Beograd

17:54 | 20 Dhjetor 2019
L G

Në ekranin informativ në një stacion transporti të qytetit të Beogradit në sheshin Slavia gjendet një hartë në të cilën Kosova paraqitet si një shtet i pavarur.

Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në opinionin serb, duke e gjykuar këtë veprim si “provokim”.

Kryebashkiaku i Beogradit, Zoran Radojiçiq, e ka dënuar vendosjen e kësaj harte në ekranin informativ dhe ka thënë se tashmë ajo është hequr, transmeton Koha.net.

“Me të marrë informatën për atë hartë në Slavia, kemi dërguar ekipin e organizatës turistike të Beogradit në vend të ngjarjes, por që e harta në ndërkohë është hequr”, ka thënë Radojiçiqi për mediumin serb N1.

“Do të ndërmarrim të gjitha masat për të gjetur përgjegjësit prapa këtij akti që ka shqetësuar opinionin dhe kanë dërguar porosi të papranueshme. Të gjithë e dimë se Kosova nuk është shtet i pavarur. Do të insistojmë t’i vëmë para përgjegjësisë ata që kanë vendosur që në qendër të Beogradit të kryejnë një provokim të këtillë”, shtoi ai.

Në një stacion autobusësh në rrugën “Mbreti Millan” në tabelën informuese të organizatës turistike të Beogradit, kur ajo zmadhohet dhe paraqet rajonin, Kosova shfaqet si shtet i pavarur.

Organizata turistike e Beogradit ka konfirmuar se ajo hapësirë e tyre, por se harta nuk është, e cila thonë se është shtuar më pas në ekranin informativ. Se kush e ka vendosur atë, ata thonë se nuk e dinë,transmeton express.

Në po atë hartë, për Greqinë, që në serbisht origjinal shkruhet ‘Grčka’, aty shkruan ‘Grcija’, për Bullgarinë, që në serbisht shkruhet ‘Bugarska’, aty shkruan ‘Bugarija’, për Rumaninë, që në serbisht shkruhet ‘Rumunija’, aty shkruan ‘Romanija’ dhe për Poloninë, që origjinal në serbisht duhet të jetë ‘Poljska’, aty shkruan ‘Polska’.

Harta si duket është marrë nga motori i kërkimeve online Google.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme