Google ADS

Shpeshtohen kontrollet e policisë për teste të alkoolit 

20:25 | 19 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Ekipi i arbresh.info kësaj radhe shoqëroi rreshter, Arsim Gollubovcin, dhe pjesëtarin tjetër të Policisë së Kosovës, Bekim Muratin, të cilët po kontrollonin kundërvajtësit në trafik.

Ata po përcjellin parkingjet e parregullta të cilat janë të shpeshta në Rrugën B.

Sikur edhe u supozua. Dy vetura kanë zënë vendkalimin për këmbësorë, veprim ky i ndaluar me rregulla të përgjithshme të trafikut.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor

Neni 84

Ndalja dhe parkimi

  1. Shoferit nuk i lejohet ta ndalë dhe ta parkojë mjetin në vendin ku do ta rrezikonte sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik ose do ta pengonte zhvillimin normal të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve.
  2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Njësiti policor po kontaktojnë kompaninë për të konfiskuar veturën e tipit Golf 6, me ngjyrë të zezë, me targa të rajonit të Prizrenit, shkaku i parkimit të parregullt.

Kompania bënë përgatitjet për larguar veturën, dhe e transporton tek hapësira për veturat e konfiskuara.

Shoferit të kësaj veture policia i shqiptoi gjobë prej 30 euro, dhe pagesa e kompanisë transportuese do t’i kushtojë rreth 30 euro.

Veturës tjetër, Policia e Kosovës po i shqipton gjobën prej 30 eurove për shkak  se ka zënë vendkalimin për këmbësorë.

Rreshteri, Arsim Gollubovci, dhe pjesëtari tjetër i Policisë së Kosovës, Bekim Murati, po vazhdojnë të mbikëqyrin qarkullimin e veturave në trafik

Pas intervenimit në Rrugën B, ata po ndalen tek rruga “Luan Haradinaj”.

Policia e Kosovës po bënë edhe testet e përdorimit të alkoolit. Pas ndalimit të një veture të tipit Mercedes, bërja e testit tek shoferi i kësaj veture rezultoi negativ.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor

Neni 233

Ndalimi i përdorimit të alkoolit

  1. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) deri në treqind (300) euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve sipas dispozitës së paragrafit 1. të këtij neni nëse në organizëm ka alkool deri në 0,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj, si dhe një (1) pikë negative.
  2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind e pesëdhjetë (150) deri në katërqind e pesëdhjetë (450) euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve i paraparë sipas dispozitave të këtij neni nëse në organizëm ka alkool mbi 0,50 deri në 1,00 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej gjashtë (6) deri në dymbëdhjetë (12) muaj, si dhe dy (2) pikë negative.
  3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyqind (200) deri në gjashtëqind (600) euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve i paraparë sipas dispozitave të këtij neni nëse në organizëm ka alkool mbi 1,00 deri 1,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej nëntë (9) deri në tetëmbëdhjetë (18) muaj, si dhe dy (2) pike negative.
  4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) deri në nëntëqind (900) euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve i paraparë sipas dispozitave të këtij neni nëse në organizëm ka alkool mbi 1,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej një (1) deri në dy (2) vjet, si dhe tri (3) pikë negative.

Në veturën e tipit Audi, janë identifikuar dy kundërvajtje, mos vendosje e rripit të sigurimit dhe mos prezantim i patentë shoferit.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor

Neni 203

Dokumentet gjatë drejtimit të mjetit

  1. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili i posedon dokumentet valide të parapara me këtë nen, por nuk i ka me vete kur i kërkohet nga personi i autorizuar

Për patrullimin në zonën e qytetit në Prishtinë, rreshteri Arsim Gollubovci thotë se është shtuar patrullimi në fund vit, dhe këtë muaj do t’i kushtohet shumë rëndësi edhe testeve  të alkoolit.

“Është fund viti, vijnë edhe mërgimtarët, për atë veç  kemi fillu me këtë projekt”, shprehet Gollubovci.

Ai përmend edhe mangësitë e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës sa i përket parkingjeve, dhe kërkesat që nuk po merren parasysh, pavarësisht rekomandimeve nga ana e Policisë së Kosovës .

Rreshteri Gollubovci tregon se në cilën periudhë gjatë 24 orëve, bëhen shkeljet më të shumta në komunikacion.

Vetëdijesimi thotë se është rritur, por ai bënë thirrje që shoferët të respektojnë shpejtësinë dhe rregullat e komunikacionit.

Policët po vazhdojnë me ndaljen e veturave në sheshin “Idriz Seferi” tek rrethi me flamur. Dy veturat e ndaluara, pas kontrollimit të dokumentacionit kishin gjithçka në rregull.

Policia po vazhdon t’i bëjë shoferëve edhe testin e alkoolit në këtë lokacion.

N’ trafik me Policinë e Kosovës është emision i veçantë që realizohet nga arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ky emision ka për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion, këmbësorëve dhe shoferëve, në lidhje me respektimin e rregullave të komunikacionit.

Prodhim i arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës

Gazetare: Arditë Shkodra

Kamerë: Safet Hyseni

Montazhi: S.Marevci & L.Pacolli

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme