Google ADS

Miftaraj me propozim si të merren vesh VV dhe LDK për formimin e qeverisë

20:21 | 18 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Analisti politik, Ehat Miftaraj, ka dhënë një propozim se si Vetëvendosje dhe LDK-ja mund të merren vesh për formimin e qeverisë, pas bllokadave në negociatat mes dy partive.

Sipas tij, pasi LDK-ja është e vendosur që kësaj partie t’i takojë posti i presidentit, Miftaraj ka thënë se si pikë e parë Vetëvendosje duhet të tejkalojë veten dhe të pajtohet me qëndrimin e LDK-së. Pas kësaj, ai ka thënë se Vetëvendosje duhet që të “shpërblehet” me mundësinë që të zgjedhë e para tri ministri.

“VV për interes të përgjithshëm dhe nevojës urgjente për formimin e institucioneve sipas rezultateve të 6 tetorit 2019, tejkalon veten dhe parimet e saj në raport me Presidentin. LDK në anën tjetër si shpërblim për pozitën e Presidentit, të pajtohet që VV përveq pozitës së Kryeministrit, e para të zgjedh tre ministri”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, pas kësaj, LDK-ja do të merrte katër ministri të tjera, e nga pesë të mbeturat VV-ja do të zgjidhte tri e dy do t’u takonin minoriteteve.

Miftaraj ka thënë se të dy partitë duhet të pajtohen që kandidati i propozuar nga LDK për President “të mos ketë qenë asnjëherë i dyshuar për afera korruptive, të ketë integritet moral, personal dhe profesional të pa kontestuar”.

“Qershia mbi tortë, do ishte që ky person të jetë grua!”, ka shtuar ai.

“Negociatat nënkuptojnë kompromis. Interesi i përgjithshëm kërkon sakrifica edhe lidhur me parime të cilat janë më se legjitime”, ka përfunduar shkrimin e tij Miftaraj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme