FIFA kërkon kthimin e dy milionë dollarëve nga Blatter dhe Platini

19:18 | 17 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka ndërmarrë një veprim ligjor kundër ish-presidentit Joseph Blatter dhe ish-zv/presidentit Michel Platini për të kthyer rreth 2 milionë dollarë që federata pretendon se në vitin 2011 i “pagoi padrejtësisht” Platinit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“FIFA sot ka paraqitur pretendime në gjykatën zvicerane përkatëse kundër ish-presidentit të FIFA-s, Joseph Blatter dhe ish-zv/presidentit të FIFA-s, Michel Platini, duke kërkuar kthimin e 2 milionë frangave zvicerane (2.04 milionë dollarë), të paguara padrejtësisht z. Platini në vitin 2011”, tha FIFA.

FIFA po ashtu bëri të ditur se ky veprim pason nga rezoluta unanime e miratuar së fundmi nga Komiteti i udhëheqjes së federatës, në të cilën u theksua se “FIFA është e detyruar të përpiqet për kthimin e fondeve të paguara në mënyrë të paligjshme nga një ish zyrtar tjetër”.

“Po ashtu edhe Gjykata e Lartë e Zvicrës ka konfirmuar se kjo dhuratë prej 2 milionë franga zvicerane duhet të shihet si një ‘pagesë e padrejtë’“, tha FIFA.

FIFA kaloi në një krizë në maj të vitit 2015 kur policia bastisi hotelin “Baur au Lac” në Cyrih të Zvicrës për të arrestuar anëtarët e FIFA-s në një hetim korrupsioni që tronditi sportin.

Kreu i pezulluar i FIFA-s, Blatter, po ashtu është nën hetime nga autoritetet zvicerane.

Në nëntor të vitit 2015, Komiteti i Etikës i FIFA-s filloi procedurat zyrtare kundër Blatterit dhe Platinit.

Procedimet ndaj dy ish-zyrtarëve kanë të bëjnë kryesisht me një pagesë prej 2 milionë dollarësh të transferuara në shkurt të vitit 2011 nga FIFA te Platini.

“Blatter, në pozicionin e tij si president i FIFA-s, autorizoi pagesën ndaj Platinit i cili nuk kishte asnjë bazë ligjore në marrëveshjen e nënshkruar midis dy zyrtarëve më 25 gusht të vitit 1999. Pohimi i Platinit për një marrëveshje gojore ishte përcaktuar si jo bindëse dhe ishte refuzuar nga dhoma”, tha FIFA në dhjetor të vitit 2015.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme