Vranë policin malazez, vëllezërit shqiptarë në kërkim për një tjetër krim në Shkodër

13:44 | 17 Dhjetor 2019
A. B.

Vëllezërit Luan dhe Lulëzim Hasanaj nuk donin të shkonin në komisariatin e policisë të Herceg Novit të dielën pasdite në Malin e Zi duke bërë që të qëllonin ndaj policit Milutin Lekiç duke e lënë të vrarë.

Ata i trembeshin faktit se nëse shkonin në komisariat do të zbulohej edhe sekreti i madh i tyre.

Luan Hasanaj ishte i dënuar në mungesë me 4 vite e 6 muaj burg me akuzën e plagosjes së rënde me dashje, kurse Lulzim Hasanaj ishte i dënuar me shërbim prove për të njëjtin krim.

Nisur nga kjo situatë, të shoqëruar edhe nga nëna e tyre, ata fillimisht kanë thënë se ishin nga Kosova duke mos dhënë dokumente.

Kur policët malazezë kanë filluar t’i shoqërojnë me makinë në komisariat, Luan Hasanaj ka qëlluar në drejtim të policit duke e lënë të vrarë në vend.

Më pas ai ka tentuar të qëllojë edhe ndaj kolegut të tij, por për fat të mirë i është bllokuar arma.

Të tre ata u arrestuan në kufi me Kroacinë duke tentuar të largohen nga Mali i Zi.

Abc News zbardh vendimin e gjykatës së Shkodrës për vëllezërit Hasanaj përmes të cilit Luani ka marrë dënimin 4 vite e 6 muaj burg, kurse Lulëzimi është dënuar me shërbim prove.

Ngjarja për të cilën ata akuzohen ka ndodhur në vitin 2018, në të cilën është plagosur një person. Që prej asaj dite ata ndodheshin në arrati.

Vendimi i plotë

VENDOSI :
1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Luan Hasan Hasanaj, për kryerjen e veprës penale “ Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2.Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Luan Hasan Hasanaj, për kryerjen e veprës penale “ Mbajtja pa leje, dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, pasi bazuar në nenin 388, gërma “d” e K.Pr.Penale, nuk provohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

3.Deklarimin fajtor të të pandehurit Lulzim Hasan Hasanaj, për kryerjen e veprës penale “ Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

4.Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Lulzim Hasan Hasanaj, për kryerjen e veprës penale “ Mbajtja pa leje, dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, pasi bazuar në nenin 388, gërma “d” e K.Pr.Penale, nuk provohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

5.Në bazë të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Lulzim Hasanaj, për pjesën e pavuajtur të dënimit, duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 5(pesë) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

6.Në bazë të nenit 261 dhe 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet shuarja e masës së sigurimit personal “ Arrest në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Lulzim Hasanaj, me vendimin Nr.915 (4258), datë 17.09.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

7.Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Lulzim Hasanaj, nga dhomat e paraburgimit, nëse nuk mbahet i arrestuar për llogari të ndonjë vendimi penal, që përmban masë sigurimi “ arrest në burg”, apo vendim penal që përmban dënim me burgim.

8.Vuajtja e dënimit për të pandehurin Luan Hasanaj, fillon nga data vënien në ekzekutim të këtij vendimi, dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

-Urdherohet Prokuroria e rrethit Shkoder per ekzekutimin e ketij vendimi.

9.Shpenzimet procedurale të kryera gjatë hetimeve paraprake i ngarkohen të pandehurve.

10.Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Shkodër brenda 15 (pesëmbëdhjetë)
ditëve nga e nesërmja e shpalljes së vendimit.
Për të pandehurin në mungesë, Luan Hasanaj, ky afat fillon nga e nesërmja e marrjes e njoftimit
të vendimit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme