Një shoqëri dhe shtet i mirë ka edhe shumë heronj të pavërejtshëm. Qytetarë që duhet të admirohen për punën që e bëjnë. Por, heronjtë dallojnë prej avanturierëve. Heronjtë janë modestë, ndërsa avanturierët fjalëplot dhe mashtrues.
…
Interpretimi shkollor i Don Kishotit të Servantesit ushqen me ëmbëlsirën gazmore në të parë se fjala ishte për një personazh që duhej njohur nëse jo krejtësisht si të marrë, atëherë po se po, si të humbur në kohë dhe hapësirë. Kishoti ynë shkollor donte ta rikthejë botën e dikurshme të fisnikërisë duke na lënë ne, të gjithë brezave të ardhshëm me dilemën e pashpjegueshme: Nëse në botë është më e madhe sëmundja e reales tragjike apo e ireales komike?
Por interpretimi stereotipizues vazhdon ta ushqejë mendimin se tragjikja dhe komikja nuk ishin sëmundje të përkohshme, por të përhershme që duhet kujdesur mirëkuptueshëm për to. Kjo është edhe njëra nga të mirat që mësohet nga misioni avanturesk kishotian se nuk duhet ndarë tragjiken prej komikes. Ajo është një e njëjta gjë: tragjikomikja.
E vërteta, një këso reference për realitetin tragjikomik tregon se nuk është fjala për personazhe që duken pak të marrë e pak të humbur, por për protoganistë të vetëlumtur që i shohin gjithë të tjerët të humbur në kohë dhe hapësirë. Fisniku Don Kishoti dhe shërbyesi i tij, Sanço Pança, bëjnë më me vetëbesim avanturat e pafundme nga të cilat nuk i zbraps asgjë. Por, e bukura këtij rrëfimi është se ata që e kanë lexuar librin e Servantesit, mund t’u kujtohet, se fjala nuk është sall për donkishotët, por kryekëput fjala është për të gjitha kohërat, në të cilat njerëzit janë sallsançopança, domethënë edhe personazhe të admiruara.
…
Në një letër që i dërgon kreut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, imzot Albert Grakki, që nuk ishte shqiptar po shërbente në Dukagjin, kuptohet duke ndjerë tragjikomedinë e avanturierëve politikë shqiptarë, mos me thënë mizorë, ndër të tjera shkruan: “Tue kenë të gjithë të bashkuem, kini me kenë të sigurtë se Zoti i fitoreve ka me kenë me ju.” (25 prill 1880). Duke mos pasur ende një histori të shkruar politike të paideologjizuar, nuk është sqaruar pse dhe si ngjanë përçarjet në kreun shqiptar gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit, gjatë kohës dhe pas Pavarësisë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën postkomuniste. Gjithnjë. Pse ngjajnë aq hapur dhe në këtë formë kaq banale edhe sot luftërat e pamëshirshme pa pasur në krye asnjë parim a interes publik? Është e kuptueshme, se në këtë garë të përçarjes kishte dhe ka plot “fisnikë” të humbur në kohë dhe hapësirë, sikur Don Kishoti. Sëmundja e kahershme kjo: mistikë, fascionim dhe mbresëlënie, me qitjen e interesit personal përpara interesit të përgjithshëm. Vetën dhe familjen përpara shoqërisë, kombit, shtetit. Ose gjithçka mbas vetes. Plus, aleatin e madh, injorancën, me vete.
…
Duhet përsëritur qasjen e Konstandin Chekrezit, për të përkujtuar, pse është mirë të shohim me shpesh veten në pasqyrë:” Shqiptarët e kan zakon – edhe ky asht nji faktor psikologjik- qe të mallkojnë Fuqitë e Mdhaja per intrigat dhe pabesitë e tyne, dhe të çthuren në sharje kundër fqinjëvet të tyre të “panginjur” dhe gjakpirës”, sepse këta janë munduar të çdukin racën arbnore me planet e tyre “satanike”. Po shqiptarët harrojnë se çdo komb e ka brenda në trupin e tij krymbin e lengimit dhe të vdirjes së vet. Prandaj, ndofta nuk u pëlqen të shkojnë në mendje faktin se ata vetë ose udhheqsat e tyre u japin shkak të huajve dhe fqinjëvet që të përfitojnë nga grindjet dhe mosmarrveshjet e një kombi të përçarë…”.
Pasqyra dhe jo balta na tregon ngjyrën e vërtetë të shëndetit, po edhe llojin dhe përmasën e sëmundjes.
…
Virtyti është dituri dhe e keqja, padrejtësia, bëhet nga padituria, i referohet Platoni se kështu fliste Sokrati. Njerëzit pasi lakmojnë të mirën shumë lehtë mund të bëhen të këqij. Ata që flasin në emër të tjetrit dhe ata që heshtin në emër të tyre. Një relacion avanturesk thuaja identik i Don Kishotit me Sanço Pançën. Por e mira, ekziston profecia: të gjithë duan të jenë heronj, në këtë rast, në shtetin e shpresës. Edhe kjo është e mundur, madje e domosdoshme. Mjafton për të bërë diçka të guximshme dhe të mirë për të qenë hero. A nuk është një hero student që kthehet me një diplomë me notë të shkëlqyeshme në shtëpi? A nuk është hero një sportist që kthehet me një medalje në shtëpi? A nuk është hero një fermer që e bënë tokën e tij të prodhojë pemë, perime? Një shoqëri dhe shtet i mirë ka edhe shumë heronj të pavërejtshëm. Qytetarë që duhet të admirohen për punën që e bëjnë. Por, heronjtë dallojnë prej avanturierëve. Heronjtë janë modestë, ndërsa avanturierët fjalëplot dhe mashtrues.
…
Shopenhaueri shkruan se Dante i madh, në këtë botë, kishte material të mjaftueshëm për të ngritur Ferrin pasi poeti njohu dhe jetoi në Ferrin Real. Parajsën nuk e ngriti se nuk e njohu fare në këtë botë. Por ai nuk dekurajon, por frymëzon për të përballuar sfidat, dhe për të zënë e hipur në qerren fitimtare. Ferri i Dantes ka të bëjë me punën e pastrimit prej mëkateve. Për të mbijetuar përhershëm na ndihmon edhe Kanti: „E vetmja gjë absolute është një vullnet i mirë“. Shtuar kësaj, arsyen: Në mënyrë që një vullnet i keq asnjëherë të mos jetë absolut.
Pra, nuk duhet humbur besimin. Gjithsesi, duhet besuar në dashurinë dhe përkushtimin e vërtetë të qytetarit, ashtu siç thotë edhe sentenca latine: Dum spiro spero – Derisa marrë frymë edhe shpresoj.
Pra, duhet shpresuar përnjëmend.
“Sistem i ri për monitorimin e shkollave”, Rama: Prindërit d...
Burimi diskuton me Drenushën pasi doli i papreferuar këtë ja...
Zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja shpall zgjedhjet e brendshme p...
Pse “rrugët” e aeroplanëve janë të lakuara dhe jo të drejta?
Balluku: Tuneli i Murrizit drejt përfundimit, ndërtojmë rrug...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...