“Shtyrja e mundshme e sërishme në pranverë e vendimit për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE do të ishte goditje shumë serioze. Përsëritja e gabimit strategjik të tetorit mund të ketë pasoja të thella, të paparashikueshme, e ndoshta edhe të pariparueshme”.
Kështu vlerëson presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në intervistë për gazetën gjermane “Shpigel”. Ai përkujton se shtyrja e vendimit për fillim të negociatave në tetor ishte goditje e madhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shumë të tjerë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Edhe pse presidenti francez, Emanuel Makron tha se nevojiten reforma të procesit të zgjerimit të BE-së, të gjithë shpresonin se nuk do të bllokohet fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky ishte zhgënjim i madh për qytetarët tanë, për Qeverinë tonë dhe personalisht për mua. Në fund të fundit ne i bëmë të gjitha reformat dhe marrëveshjet e nevojshme, dhe mbi të gjitha bëmë diçka që është unikate në historinë bashkëkohore të botës – për ta zgjidhur problemin me Greqinë që na bllokonte, e ndërruam emrin e shtetit prej Maqedoni në Maqedoni të Veriut”, deklaroi Pendarovski.
Ai theksoi se edhe shumë politikanë të shquar të BE-së konstatuan se është bërë gabim strategjik dhe se Unioni nuk mund të jetë lojtar relevant gjeopolitik nëse nuk e integron Ballkanin Perëndimor.
Pendarovski thotë se ka marrë bindje nga Macroni se problemi nuk qëndron tek Maqedonia e Veriut, por tek BE-ja, së cilës i nevojiten reforma lidhur me procesin negociues, ne druanim se mund të bëhemi Turqia e dytë, e cila me vite është e ngujuar si kandidate e vazhdueshme për anëtarësim.
Shefi i shtetit thekson se Shkupi nuk ka asgjë kundër reformave në procesin negociues dhe është i gatshëm t’i zbatojë reformat e domosdoshme, ndërkaq e pranon edhe modelin e propozuar të rishikimit, por pret që reformat e mundshme të procesit të inkuadrimit të bëhen shpejtë dhe pa shtyrje të mëtutjeshme.
I pyetur nëse vakuumin e mundshëm mund ta shfrytëzojnë Rusia, Turqia dhe Kina, ai thekson se nuk dëshiron të emërojë asnjë shtet, por se ka qendra të fuqisë të cilat nuk janë të kënaqura nga zgjerimi i NATO-s dhe BE-së.
“Në atë kontekst vendet e rajonit shpesh herë janë cak i lajmeve të rrejshme, dezinformatave apo fushatave me qëllim të destabilizimit të tyre”, deklaroi Stevo Pendarovski në intervistë për gazetën “Shpigel”.
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...
Konjufca sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonis...