Exit Poll: Boris Johnson fiton zgjedhjet në Britani të Madhe

00:16 | 13 Dhjetor 2019
Trina Galanxhi

Exit pollet në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson do të fitojë shumicën në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën të enjten.

Sipas anketave të kryera nga BBC, ITV dhe Sky News, Konservatorët do të fitojnë 368 ligjvënës – 50 më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017.

Po sipas tyre, Partia Laburiste do të ketë 191, Partia Kombëtare e Skocisë 55 dhe Liberal-Demokratët 13.

Exit pollet bazohen në mbi 22,000 intervista në 144 vendvotime.

Në vitet e fundit, rezultatet e tilla paraprake kanë dalë të jenë relativisht të sakta.

Në zgjedhjet e dy vjetëve më parë, ato kanë treguar se asnjëra parti nuk do të ketë shumicën që të formojë e vetme qeverinë. Në zgjedhjet e vitit 2015, ndërkaq, kanë parashikuar fitoren e Konservatorëve, transmeton rel.

Kryeministri Johnson u tha anëtarëve të partisë së tij përmes një emaili që “të shijojnë fitoren” pas shpalljes së rezultateve paraprake.

“Ju e keni fuqizuar këtë fushatë. Nuk do ta kishim arritur këtë pa ju”, tha Johnson.

Nëse rezultatet konfirmohen, kjo do të jetë fitorja më e madhe e Konservatorëve qysh në vitin 1987 dhe rezultati më i keq i Laburistëve qysh më 1935, pasi këta të fundit mund të humbasin 71 vende.

Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se pesë vjet.

Qytetarët britanikë votuan të enjten nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 22:00, sipas kohës lokale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme