Google ADS

Pas tërmetit pezullohen lejet e ndërtimit në Tiranë, Durrës e Lezhë

termeti
08:55 | 11 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Pas tërmetit shkatërrues të 26 janarit, qeveria ka marrë vendimin për të pezulluar lejet e ndërtimit në zonat e prekura nga ndërtimi, konkretisht në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Njoftimi zyrtar është bërë nga Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

“Bazuar në kërkesën e disa bashkive të prekura nga dëmet e tërmetit të datës 26.11., si dhe në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.750, datë 27.11.2019, ndryshuar me VKM Nr.751 datë 29.11.2019, ju njoftojmë se është realizuar me sukses pezullimi i aplikimi për leje ndërtimi në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë”, thuhet në njoftim.

Për këto qarqe mund të aplikohet shërbimi vetëm “Aplikim për leje ndërtimi, riparimi, restaurimi (rastet e emergjencave civile).

Njoftimi i është shpërndarë edhe bashkive që janë në këto tre qarqe si Durrës, Tiranë, Vorë, Shijak, Krujë, Kavajë, Shijak, Kamëz dhe Kurbin.

Sipërfaqja e dhënë për leje arriti në nivel rekord për 9 mujorin

Përpara se të binte tërmeti, vrulli i ndërtimeve nuk kishte të ndalur. Të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT për lejet e ndërtimit, në tremujorin e tretë, tregojnë se për 9-mujorin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në 1.3 milionë metra katrorë, duke u rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe trefishin në krahasim me 9-mujorin 2017.

Vetëm në tremujorin e tretë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet është 557 mijë metra katrorë, ose 81% e së gjithë sipërfaqes së dhënë në vend, duke shënuar një nivel rekord të viteve të fundit.

Ndërkohë, Bashkia Tiranë dy vitet e fundit po siguronte gati një të tretën e të ardhurave të veta nga taksa e ndikimit të infrastrukturës dhe ndalimi i lejeve pritet që të presë një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për këtë bashki.

Projekti financatvendore.al, që monitoron shpenzimet e bashkive e kishte theksuar disa herë varësinë e të ardhurave të buxheteve të bashkive, sidomos të zonave kryesore në Durrës e Tiranë, nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja.

Për të gjithë vendin, INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë 2019 janë miratuar gjithsej 293 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 343 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rënie prej 14,6 %.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2019, është 685.455 m², nga 330.725 m² miratuar në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rritje me 2,1 herë./monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme