Prokuroritë dhe Policia e Kosovës bëjnë ndërlidhjen e sistemeve elektronike për shkëmbimin e të dhënave

15:20 | 10 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë lansuar ndërlidhjen e sistemeve për shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike, sistem ky, i cili është ndër më të avancuarit në rajon.   

Hapja e ceremonisë së lëshimit të këtij sistemi është bërë nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Hyseni, ka thënë gjatë kësaj ceremonie se digjitalizimi i procesit të punës në të gjitha prokuroritë e vendit është një ndër synimet e sistemit prokurorial, ngaqë do të rezultojë me një sistem prokurorial më transparent, llogaridhënës dhe të besueshëm, me ç’rast prokuroritë do të jenë shumë më efikase në procedurat dhe zbatimin e afateve kohore për zgjidhjen e lëndëve.

Me tej, Kryesuesi Hyseni, tha së ndërlidhjet e sistemit elektronik janë bërë me Regjistrin Civil dhe Regjistrin e Bizneseve, ndërsa, sot, bazuar në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit lëshohet ndërlidhja e sistemeve elektronike të prokurorive dhe Policisë së Kosovës. “Nga kjo do të ketë përfitime të shumta për të dyja institucionet, duke filluar nga kursimi i kohës për dorëzimin e lëndëve në kopje fizike, kursimi që bëhet gjatë kopjimit të lëndëve, në pajisjet për skanimin e lëndëve dhe resurse të tjera dhe, ç’është më kryesorja nuk mund të humbin apo të fshihen të dhënat e dërguara dhe të pranuara”, ka theksuar Hyseni.

Ndërkaq, Drejtori i  Policisë, Qalaj, ka thënë se ndërlidhja e sistemeve elektronike me prokuroritë do të ketë ndikim shumë pozitiv në shumë drejtime për Policinë e Kosovës. Sipas tij, ngritja e transparencës, shpejtësia në komunikim, menaxhimi më i mirë i kohës dhe qasja më e lehtë e qytetarëve në informata janë vetëm disa nga elementet që këtë sistem e bëjnë shumë të rëndësishëm.

Rrjedhimisht për lidhjet e sistemeve elektronike në mes të prokurorive dhe Policisë së Kosovës, ka folur edhe Zëvendësambasadorja e Norvegjisë në Kosovë, Jenny Stenberg Sørvold, vendi i të cilës ka mbështetur financiarisht projektin për sistemin e menaxhimit elektronik të lëndëve (SMIL), e cila ka vlerësuar lart punën e bërë dhe mënyrën e realizimit të këtij projekti.

Sistemi prokurorial i Kosovës synon që të bëjë ndërlidhjen elektronike edhe me gjykatat dhe portalin e tij elektronik, me ç’rast qytetarët do të kenë mundësi të mëdha për të marrë informata me kohë për numrin e lëndëve të pranuara, të zgjidhura dhe të pazgjidhura, sipas periudhës së caktuar kohore dhe prokurorisë përkatëse./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme