Me bllokimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, idetë e nobelistit Peter Handke për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për zhdukjen e penguesve të saj, mund të dalin nga fejtonet dhe udhëpërshkrimet e tij e mund të bëhen realitet.
Dhënia e Cmimit Nobël për letërsi Peter Handkes, shkrimtarit austriak që ka qenë avokat i gjenocidit serb kundër boshnjakëve e kundër shqiptarëve, ka qenë paralajmërimi i qartë lidhur edhe me qëndrimin refuzues që do të mbante Bashkimi Evropian ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor.
Në Bashkimin Evropian nuk pati reagime serioze ndaj vendimit skandaloz të Akademisë Suedeze të Shkencave, e cila faktikisht e shpërbleu një shkrimtar që ishte avokat i krimit të gjenocidit. E gjitha u paketua në emër të lirive estetike, të lirisë së shprehjes, të pavarësisë së Akademisë, të cilat u mbrojtën më shumë se sa viktimat e gjenocidit, ndaj të cilave Peter Handke jo vetëm që nuk ka treguar mëshirë, por ka shprehur mllef. Duke e mbrojtur të drejtën e Serbisë (pamfleti “Drejtësi për Serbinë”) Peter Handke ka injoruar viktimat e gjenocidit serb dhe ka apeluar për krijimin e Serbisë së Madhe, nën maskën e gjoja mbrojtjes së Jugosllavisë, saktësisht ashtu si e kishte konceptuar Sllobodan Millosheviqi.
Pse pati aq shumë heshtje e hipokrizi ndaj vendimit të Akademisë Suedeze për nderimin e Handkes në mbarë Bashkimin Evropian? Arsyet e asaj heshtjeje dhe të atij injorimi fshehen në qëndrimin që mbajnë shumica e shteteve të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor.
Shumica e atyre shteteve, me Francën në krye, Ballkanin Perëndimor e konsiderojnë si një apendiks të Evropës, si trup i huaj, në të cilin janë të kuptueshme e të lejueshme atavizmat dhe barbaritë. Meqë është rajon ku ka edhe popuj që konsiderohen si corpus alieni, sikundër janë boshnajkët dhe shqiptarët muslimanë, atëherë në këtë rajon nuk vlejnë të njëjtat standarde morale që vlejnë për pjesët e tjera të Evropës po edhe të Ballkanit. Fjala vjen, Ballkani Lindor, me Rumaninë, Bullgarinë e Greqinë, janë rehatuar brenda Bashkimit Evropian, dy të parat pa i plotësuar fare kriteret e anëtarësimit. Ndërsa kriza financiare e Greqisë, faktikisht falimentimi i saj si shtet, u menaxhua me një kujdestari atërore (disamiliardëshe) nga fondet e strukturave të Bashkimit Evropian. Greqinë vërtet e qortuan, si plangprishëse, çfarë ishte në të vërtetë, por me vendosmëri e shpëtuan.
Nuk mund të jetë rastësi që këto tre shtete të Ballkanit Lindor, të cilat u pranuan pa i plotësuar kriteret (Rumania e Bullgaria) e u rehabilituan me fonde marramendëse, (Greqia) janë shtete të krishtera.
Ndonëse Ballkani Perëndimor është shumë më afër Evropës Perëndimore se sa Ballkani Lindor, ai mbeti i ngrirë në pritje absurde godoje. Nuk i ndihmoi asgjë deklarata e Selanikut e vitit 2003, nuk i ndihmoi Marrëveshja e Prespës, nuk i ndihmoi servilizmi proevropian, nuk i ndihmoi asgjë. Prandaj, refuzimi francez ndaj Maqedonisë së Veriut dhe ndaj Shqipërisë për t’u dhënë datën e hapjes së negociatave, ishte refuzim i pritur dhe i logjikshëm dhe jo vetëm i Francës, po i shumicës së shteteve të BE-së. Po të mos i bllokonte Franca, do t’i bllokonte Hollanda, ose Danimarka, ose Gjermania vetë.
Faktikisht, Bashkimi Evropian këtë rajon e konsideron jo vetëm të huaj, po edhe problematik e të pabesë. Në paranojën e Francës, Hollandës, Danimarkës, Spanjës, ose edhe të vetë Gjermanisë, ky rajon, në rend të parë shqiptarët e boshnjakët, jo vetëm që kanë një etiketë dyshimi për përkatësinë fetare të shumicës së popullsisë, por e kanë edhe një njollë ideologjike, meqë janë shumë proamerikanë. Veçmas Franca e ka tullusum këtë afinitet proamerikan të shqiptarëve.
Pra, i konsideron si jolojalë e të pabesë ndaj Evropës, meqë flertojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrjedhimisht, ky ndëshkim francez përfshinë Shqipërinë, Kosovën po edhe Maqedoninë e Veriut, duke penalizuar shqiptarët për proamerikanizmin e tyre të hapur dhe antipansllavizmin poashtu të hapur.
Pra, meqë iritimi dhe mosbesimi francez ndaj Shteteve të Bashkuara është në rritje, Parisi ka filluar të flertojë me Rusinë që të kundërbalancojë arrogancën amerikane, të mishëruar në presidentin vërtet arrogant, Donalld Trampin. Refuzimi francez ndaj Shqipërisë e ndaj Maqedonisë së Veriut, mund të shihet edhe si një shkelje e syrit nga ana e Parisit për Putinin, që të vazhdojë projektet bllokuese e destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Parisi ia ka mbyll Ballkanit dyert e integrimit, me çka i ka ekspozuar edhe më shumë ndaj influencës ruse. Afera me spiunin rus në Serbi, e cila tashmë po e tronditë edhe shtetin më vasal të Rusisë në Ballkan, është provë e sigurt se influenca ruse është në rritje dhe gjithnjë e më ambicioze. Kur të kihet para sysh se edhe influenca kineze është në rritje në Serbi, deri diku edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut, kuptohet edhe më qartë se qëndrimi i Francës dhe i Bashkimit Evropian është një sakrifikim i qëllimshëm i Ballkanit Perndimor, në stilin e ndyrë të Pontie Pilatit.
Pikërisht si një larje duarsh për lejimin e krimit, pas kësaj lëvizjeje bllokuese të Parisit zyrtar, u sponosrizua një tentativë për formimin e gjoja miniShengenit ballkanik, nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Në fakt, trilaterajla e Novi Sadit vetëm sa e forcon pozitën hegjemone të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë joproporcionalë të Serbisë në këtë asociacion dhe nëse asociacioni zhvillohet, ato pashmangshëm do të shndërroheshin në satelitë të Serbisë. Nga ana tjetër, lidhja e këtyre tre shteteve, pashmangshëm e izolon Kosovën dhe e fut nën një presion edhe më të madh të ambicieve serbe për copëtimin e saj.
Mesazhi i Edi Ramës me një hartë të postuar në fejsbuk, ku Kosova ishte brenda Serbisë, e kishte të afishuar kërcënimin ndaj Kosovës, e cila do të gllabërohet nga Serbia. Në këtë kontekst, është e kuptueshme që ndikimi rus do të vinte duke u rritur në mbarë rajonin, për arsye se Rusia ka prezencë dhe influencë direkte në Serbi.
Qendra Humanitare në Nish, njësitë e armatosura të Gazpromit, varësia e armatës serbe nga armatimet ruse, përkrahja nga Rusia lidhur me pretendimet serbe ndaj Kosovës, spiunimi në nivelet e larta të armatës e të qeverisë serbe, tashmë e kanë shndëruar Serbinë në një shtet vasal të Rusisë. Prandaj, rritja e influencës serbe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veiut, nëpërmjet miniShengenit, do ta rriste edhe influencën ruse në këto dy vende. Gjasat janë që ky zhvillim është i akorduar ndërmjet Francës e Rusisë. Por nuk e qartë pse u dha përkrahje edhe nga diplomati amerikan, Metju Pallmeri. Ndoshta ngase administrata e Trampit është bukur konfuze lidhur me Ballkanin Perëndimor.
Shija e hidhur e deklaratës së Xhon Bolltonit në Kiev, lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ende ngacmon secilin që di të mendojë politikisht.
Në tërë këtë injorim dhe konfuzion, qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës nuk janë pa kusure. Mesazhet që kanë dhënë lidhur me dialogiun dhe shkëmbimin e territoreve, u kanë shërbyer si alibi refuzuesve të integrimit. Ndërsa nxitja e konflikteve të reja nga Edi Rama, ndërmjet Tiranës e Prishtinës, janë duke i inkurajuar armiqtë tanë që të pretendojnë edhe më shumë. Nëse Kosova mbetet shtet i papërfunduar, e izoluar, e varfër, e goditur nga të gjitha anët, edhe nga Shqipëria, atëherë gjasat e armiqve për hakmarrje dhe madje për vënien të pikëpyetje të ekzistencës së saj, janë shumë serioze.
Pra, me bllokimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, idetë e nobelistit Peter Handke për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për zhdukjen e penguesve të saj, mund të dalin nga fejtonet dhe udhëpërshkrimet e tij e mund të bëhen realitet. Në atë rast edhe Franca do të gjente një rast të ri ta rimishëronte aleancën francezo-serbe, me ndonjë Kajmakçallan të ri, kësaj here jo kundër bullgarëve e gjermanëve, po kundër shqiptarëve e boshnajkëve.
Pastaj Makroni ekzisues ose ndonjë Makron i ri, njësoj i pispillosur, do të gjente ndonjë arsyetim që do ta mbulonte gjenocidin me një gjethe fiku, si në rastin e Sarajevës, që e pati bërë pararendësi i tij, Fransoa Miterani. Peter Handke mund të shfrytëzohej si fatthënë, ose si njëfarë arsyetimi estetik për gjenocidin e radhës ndaj shqiptarëve e ndaj boshnjakëve. Më vonë do të shtohej një motiv i ri për miqësinë franko-serbe, në memorialin ekzistues në Kalemegdan, aniçka që do të përsëritej taktika e tokës së djegur në apendiksin e kontinentit, që për Francën dhe shumë kombe të tjera në Bashkimit Evropian, thjesht është një corpus alienum.
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...
Ukraina thotë se Rusia e ka sulmuar me afër 200 dronë
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Ambasadori i Zvicrës: Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdh...
Tentuan të grabisin një market në Ferizaj, arrestohen dy të ...