Shpërthen vullkani në Zelandë të Re, humbin jetën pesë persona

10:53 | 9 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 20 tjerë po konsiderohen të zhdukur, pas shpërthimit të vullkanit në ishullin e Bardhë në Zelandë të Re.

Shpërthimi i vullkanit ka ndodhur derisa në krater ishin disa turistë, e siç raportojnë mediat lokale, të paktën 23 persona janë evakuuar pas shpërthimit të vullkanit kurse një person ka humbur jetën pas plagëve të marra.

Gjithashtu raportohet se të paktën 20 persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore, kurse policia ka bërë të ditur se 50 persona gjenden ende në ishull.

Bëhet fjalë për destinacionin e njohur turistik, për të cilin autoritetet e Zelandës së Re thonë se në të mund të ketë më shumë njerëz të vdekur.

“Disa nga turistët janë sjellë në brigje, e në mesin e tyre është një person që është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore”, ka njoftuar policia.

Në anën tjetër kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern, ka bërë të ditur se në momentin e shpërthimit të vullkanit rreth ishullit kanë qenë afro 100 persona, derisa policia ka njoftuar se ishin më pak se 50.

Në ishullin e Bardhë, gjendet vullkani aktiv rreth 48 kilometra në lindje të brigjeve të Zelandës së Re. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme