Google ADS

Haradinaj: Vëllain ma vranë kur isha në Hagë, për të nxitur vëllavrasje

00:20 | 8 Dhjetor 2019
Trina Galanxhi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradianaj, ka folur për vrasjen enigmatike të vëllait të tij, Enverit, pas periudhës së luftës.

“Enveri nuk ka qenë ndonjë djalë problematik që ka krijuar problem me dikë. Ai ka qenë jashtëzakonisht i sjellshëm dhe ka qenë i plagosur dy herë gjatë luftës”, ka thënë Haradinaj.

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se vrasja e vëllait të tij është pjesë e një skenari të përgatitur nga Serbia, pasi që, sipas tij, Enveri nuk i kishte bërë keq asnjë shqiptari.

“Vrasja e tij, mendoj që ka qenë pjesë e atij skenari që është provuar në Dukagjin. Të kthehen familjet në hasmëri. E vërtet është se gishtin në ndonjë rast e ka tërhequr ndonjë shqiptar por skenari është i Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj në Rtv Dukagjini.

Ramush Haradinaj thotë se vrasja e Enver Haradinajt ishte vrasje politike pasi që, sipas tij, ai nuk ka pasur ndonjë precedent penal.

“Ai askujt nuk ja ka prishur pos Serbisë në luftë. Është vrarë vetëm pse ka qenë vëllai im apo yni. Unë dhe Dauti kemi qenë në burg në atë kohë. Ai është vrarë për të nxitur ndonjë hakmarrje…Por asnjëri nga familja jonë nuk ka vrarë shqiptar. As me porosi e as pas shpine, as përballë. Familja jonë i ka disa kode të nderit që i kemi ruajtur”.

Kryetari i AAK-së ka thënë se e ka diskutuar edhe me ish-presidentin Rugova se kush po i bën këto vrasje, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se pos zyrtarëve të shumtë të LDK-së, atij i janë vrarë edhe shumë luftëtarë që kanë qenë në grupin e tij, por thotë se nuk ka dashur të bëj listë për të mos nxitur vëllavrasje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme