Urgjenca e formimit të Qeverisë, dhe skenarët që mund të paralizojnë proceset

10:08 | 7 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Ndarja e “hises” së pushtetit,  është bërë problematike me maksimizimin e ofertës dhe kërkesës ndërmjet dy subjekteve politike që aktualisht po negociojnë mundësinë e marrëveshjes për koalicion.

Kjo ka bërë që të lindin disa paqartësi dhe mos pajtime ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu vlerëson eksperti i zhvillimeve politike vendore dhe ndërkombëtare, Vigan Qorrolli në një intervistë për arbresh.info, derisa shton se takimi i fundit ndërmjet liderëve të këtyre dy partive politike, Albin Kurtit e Isa Mustafës, ka shpërfaqur ndasitë konkrete.

Sipas tij, arritjen e një marrëveshje e vështirëson edhe më tepër programi i ndryshëm, duke qenë njëra e orientimit të djathë dhe tjetra të majtë.

Ai e sheh si çështje urgjente materializimin e vullnetit të kosovarëve që të gjendet zgjidhja për qeverinë e re dhe jo për postin e Presidentit.

“Shpresoj të mos jetë ndonjë skenar tjetër i cili do të mund ta paralizonte arritjen e një marrëveshjeje qeverisëse”, thotë Qorrolli.

Sipas tij, Lidhja Demokratike duhet të heq dorë nga posti i Presidentit, duke propozuar një kandidat konsensual që do ta përfaqësonte unitetin e popullit siç e kërkon edhe Kushtetua e Kosovës.

Çështja e parë e rëndësishme për Qeverinë në krye me Albin Kurtin, sipas Qorrollit, do të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Tani Kosova duhet ta mendojë shumë më ndryshe dialogun me Serbinë”, vlerëson Qorrolli.

Duke folur për Ligjin për pagat në sektorin publik, Qorrolli thotë se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos masa të përkohshme për pezullimin e një neni të caktuar ose komplet ligjit, atëherë pagat e  këtij muaji do të dalin në modelin e vjetër.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për çështjet urgjente në të cilat duhet të reflektojnë përfaqësuesit politikë që kanë marrë besimin në zgjedhjet e gjashtë tetorit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme