Google ADS

Dardanët me komunikatë pas situatës së krijuar: Ëndrra jonë vazhdon, mos na e ndërpritni

15:17 | 6 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Zhvillimet e fundit në sportin kosovar i kanë shqetësuar mbështetësit kryesorë të Përfaqësues së Kosovës, Dardanët.

Madje në mediat e Maqedonisë së Veriut ka pasur raportime se Kosova të pezullohet nga UEFA pas zhvillimeve të fundit, pasi siç është thënë: “Sipas disa burimeve Kosova rrezikon pezullim prej dy deri në pesë vite, pasi persona të lidhur me politikën krijojnë amulli, duke tentuar të ndërhyjnë direkt në Federatën e futbollit të Kosovës”.

Në ndërkohë, kanë reaguar Dardanët, të cilët kërkojnë zbutjen e tensioneve dhe të mos ketë ndërhyrje politike në FFK.

Më poshtë është komunikata e plotë:

Në këto momente të paqarta dhe brengosëse për futbollin e Kosovës, ne ‘Dardanët’, tifozët e Kosovës, kërkojmë nga gjithë vendimmarrësit dhe faktorët relevantë në këtë situatë të krijuar:

Që interesi i shtetit të Kosovës dhe futbollit të saj të jetë primar dhe mbi interesat individualë; që çdo mosmarrëveshje të zgjidhet pa tensione dhe të mos e dëmtojë marrëdhënien e FFK-së me UEFA-n; që të mos ketë ndërhyrje politike në FFK, jo vetëm sot, por asnjëherë.

Paradoksalisht, në vend se të jemi të fokusuar në ndeshjet e radhës të ‘Play-off-it’, ne dhe gjithë opinioni publik futbolldashës jemi në ethe të ngjarjeve rreth FFK.

Bëjmë apel të gjithëve për ftohje të tensioneve që mund të rrezikojnë pjesëmarrjen tonë eventuale në ‘Euro 2020’.

Ne, tifozët e Kosovës, nuk mbështesim asnjëherë individë të caktuar, por futbollin e Kosovës.

Ne, tifozët e Kosovës, gjithmonë do të përkrahim strukturat legale në FFK, andaj e përkrahim kryetarin aktual të FFK-së, Agim Ademi.

Ëndrra jonë vazhdon, mos na e ndërpritni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme