Google ADS

Kryeprokurori i ri i Shqipërisë: Të jemi në lartësinë e asaj që presin qytetarët

10:34 | 6 Dhjetor 2019
A. B.

Prokurori i ri i Përgjithshëm, Olsian Çela u prezantua sot si drejtuesi i ri i organit të akuzës.

Ishte ish-kryeprokurorja Arta Marku, e cila i dorëzoi detyrën kryeprokurorit të ri Olsian Çela, që u votua një ditë më parë nga Parlamenti me 101 vota për të drejtuar organin e akuzës për 7 vitet e ardhshme.

Marku tha se ndihet e vlerësuar që drejtoi Prokurorinë duke bërë falënderimet e rastit, ndërkohë që uroi Çelën për detyrën dhe u shpreh e lumtur që ia pason një shoku të saj të klasës.

“Ndihem e vlerësuar që drejtova Prokurorinë. Ishin dy vite të vështira për çdo magjistrat. Një falënderim të veçantë për mediat. Roli juaj i pazëvendësueshëm dhe na bën më të përgjegjshme për detyrën tonë. Urime prokurorit të ri. Shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një shoku tim të klasës”, deklaroi Marku.

Kryeprokurori Çela falënderoi Arta Markun për punën e saj, duke theksuar se ajo punoi në një fazë të vështirë tranzicioni.

“Ndoshta është hera e parë që kalon detyra. Transparenca është mënyra më e mirë për të rritur besimin e institucioneve dhe te publiku. Falënderoj dhe vlerësoj Markun për këtë punë në këto dy vite, në një fazë tranzicioni, ku vendi është përballur me mjaft probleme të mëdha. Ajo ka bërë më të mirën e mundshme”, tha ai.

Tani, u shpreh Kryeprokurori, “hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore, kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ”.

Ai vlerësoi se, “prokurori ka kapacitetet për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së BE, rezultatet e punës sonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme”.

Në këto kushte, theksoi ai, “tashmë ka mundësi që Kryeprokurori mund të japë kontribut për t’u dhënë jetë ideve të reja”.

Duke folur për situatën që po kalon vendi Çela tha se, “sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor. Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete. Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit”.

“Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë. Çdo gjë nuk shkon, vaj ndryshimet gjithmonë janë pozitive. Vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”, nënvizoi Kryeprokurori i ri, Olsian Çela. /ATSH/

Të ngjashme