Kosova është radhitur e treta nga fundi i listës mes shteteve që kanë marrë pjesë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA 2018.
Por, pavarësisht kësaj askush ende nuk e ka marrë fajin për këtë dështim.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqyi pak minuta pas publikimit të rezultateve tha se përgjegjësia nuk mund t’i drejtohet një personi. Por ai shtoi se më së paku janë fajtor ata duke lënë të kuptohet se faji bie mbi Qeverinë e kaluar.
Ai madje drejtoi ‘gishtin’ nga ish-ministri, Arsim Bajrami duke cituar edhe një pjesë të fjalimit të tij gjatë dorëzimit të detyrës.
“Se kush është përgjegjës ne duhet të diskutojmë në tërësi, nuk mundet t’i drejtohet një personi sepse më të paku mund të jemi ne, sepse ne po flasim për tre muaj. Ju e dini se në takimin e shkëmbimit të detyrave me ministrin Bajramin ai ka deklaruar se çfarëdo rezultati qoftë pozitiv apo negativ do të kemi përsipër ne. Kështu e thotë ish-ministri Bajrami”, ka thënë Bytyqi.
E Arsim Bajrami i cili udhëhoqi me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e kaluar nuk ishte i qasshëm në telefon.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci në një prononcim dhënë për arbresh.info tha se ky rezultat ishte i pritshëm.
“Rezultate janë shqetësuese por nuk janë befasuese sepse kjo është gjeneratë e nxënëseve që kanë filluar shkollën në vitin 2008-2009 dhe nuk është bërë asgjë gjatë kësaj periudhë për këta fëmijë. Përveç planeve që janë hartuar e nuk janë zbatuar dhe është normale që kur nuk zbatohen planet për përmirësim të cilësisë atëherë do të ketë ngecje dhe ky është reflektim i drejtpërdrejtë i gjendjes që ne e kemi në sistemin tonë të arsimit”, ka thënë ai.
Pupovci ka shtuar se në këtë mes vetëm fëmijët nuk janë fajtor. Sipas tij faji duhet të kërkohet në institucione.
“Fëmijët janë më së paku fajtor. Këtu bile fëmijët nuk mund të quhen fare fajtor, sepse ata presin nga të rriturit dhe këtu konsideroj se faji qëndron te mungesa e një sistemi të mirëfilltë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies i cili shtrihet nga shkolla e deri te ministria. Ku askush, askujt nuk I jep llogari për asgjë dhe sigurisht që në kushte të tilla nuk priten edhe rezultate më të mira”, ka shtuar ai.
Sipas Pupovcit, Kosova duhet të merr praktika të vendeve fqinje e sidomos të Maqedonisë e cila ka treguar ngritje pozitive.
“Shqipëria nuk ka dal më mirë në lexim sesa herën e kaluar, por Maqedonia ka shënuar një përmirësim të dukshëm që është shumë problem edhe të shpjegohet ndoshta ka qenë puna që herën e kaluar thjeshtë nuk janë bërë përgatitjet si duhet atje, por sigurisht që duhet të shihen edhe praktikat e vendeve fqinje sepse PISA na tregon ku janë dobësitë, por jo edhe në çfarë mënyre duhet të adresohen. Duhet të mirren praktikat e vendeve fqinje sepse duhet të shihet nëse ato kanë ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes apo bëhet fjalë për kontinentit më afat gjatë sepse Shqipëria ka qenë përafërsisht këtu ku jeni ne sot në vitin 2000. Por reformat që janë bërë atje edhe pse nuk janë të kënaqur, kanë sjellë deri te një nivel i përmirësimit, që nuk e bën Shqipërinë krenare, por e bën të jetë më mirë se Kosova dhe drejt përmirësimit”, ka thënë Pupovci.
Edhe Rinor Qehaja nga Instituti i arsimit “EdGuard” në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se rezultati i testit PISA paraqet gjendjen reale të arsimit.
Qehaja ka shtuar se rezultati ka qenë i pritur ndërsa përgjegjës është MASHT.
“Rezultatet nga testi PISA 2018 paraqet një përmbledhje valide dhe reale të arsimit në vend. Ajo rritje qe është pritur dhe proklamuar nga MASHT nuk ka ndodhur. Një rezultat i tillë, nuk është befasues, dhe arsyetimi i keqadministrimit dhe mos përgatitjes nga PISA 2015 më nuk qëndron. Pra, dështimi është në cilësi të arsimit para universitar në vend, dhe për këtë përgjegjës është MASHT”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se rekomandimet e PISA 2015 nuk janë shqyrtuar nga MASHT.
“Është e pakuptime të priten rezultate më të mira, kur MASHT nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës. Nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore, aq më pak investime në infrastrukturë. Është e pa tolerueshme që rekomandimet nga PISA 2015 as që janë shqyrtuar nga MASHT, dhe për këtë duhet të kërkohet përgjegjësi”, ka thënë ai.
Qehaja ka shtuar se llogaridhënia është pikënisjen e ndryshimit në arsim.
“Rezultat i mirë në PISA vie nga kurrikula, dhe jo nga përgatitja e nxënësve për test një javë më herët. Pikënisje e ndryshimit duhet të jetë instalimi i llogaridhënies në arsimin në vend, përfshirë pikësëpari për të gjithë përgjegjës për këtë rezultat në testin PISA”, ka shtuar Qehaja.
Për rezultatin e Kosovës në PISA 2018 ka reaguar edhe Organizata ”Demokracia Studentore”. Në të akuzohet kryeministri në largim, Ramush Haradinaj i cili sipas organizatës “ka premtuar se do t’i jep prioritet sektorit të arsimit por tashmë po dëshmohet se ishte vetëm premtim fushate”.
Vetë Haradinaj, një ditë më parë, pranoi për arbresh.info se sistemi i arsimit është në gjendje të vështirë dhe se duhet të adresohet urgjentisht./arbresh.info/
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...
Begaj pret ministrin Sikorskin: Vazhdim i mbështetjes për in...
Interi konfirmon lëndimin e Barellas – zbulohet se sa do të ...