Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se takimi në Londër për Sirinë me krerët e Turqisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar ishte “i mirë dhe i dobishëm”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur para gazetarëve në Londër pas takimit katër-palësh me kryeministrin britanik, Boris Johnson, presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, Merkel tha se në takim shkëmbyen mendime për luftën kundër DEASH-it, përpjekjet e Turqisë për refugjatët sirianë dhe për bisedimet e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara (OKB) për zgjidhje politike në Siri.
“Ne u pajtuam se lufta kundër DEASH-it duhet të vazhdojë”, tha Merkel, duke shtuar se autoritetet e katër vendeve do të vazhdojnë bisedimet e tyre për këtë çështje.
“Së dyti, ne të gjithë riafirmuam mbështetjen tonë për përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së (Geir) Pedersen për procesin politik, për takimin e Komitetit Kushtetues Sirian. Ne do të jemi më aktivë në këtë drejtim”, theksoi ajo.
Merkel tha se udhëheqësit po ashtu diskutuan përpjekjet e Turqisë për refugjatët sirianë dhe planet për kthimin vullnetar të refugjatëve në zonat në Sirinë veriore, zona të cilat u pastruan së fundmi nga terroristët e YPG/PKK-së në kuadër të operacionit turk “Burimi i Paqes”.
“Kjo mund të jetë e mundur vetëm me përfshirjen e OKB-së dhe UNHCR-së. Do të dëshironim të mbetemi në kontakt për këtë çështje”, u shpreh Merkel.
Turqia aktualisht pret rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.
Takimi katër-palësh vjen para samitit të nesërm të liderëve të NATO-s.
Ideja e një takimi katër-palësh midis udhëheqësve u propozua nga kryeministri Johnson disa javë më parë, pas tensioneve midis kryeqyteteve evropiane dhe Ankarasë për operacionin ushtarak turk kundër grupeve terroriste në Sirinë veriore.
Disa aleatë të NATO-s, përfshirë Franca dhe Gjermania, kritikuan operacionin duke shprehur shqetësimet e tyre për një krizë të mundshme humanitare dhe paqëndrueshmëri më të gjerë në rajon.
Ankaraja nga ana tjetër shprehu vendosmëri për të pastruar Sirinë veriore nga DEASH-i dhe nga grupet terroriste të YPG/PKK-së, si dhe për të krijuar një zonë të sigurt përgjatë kufirit për rivendosjen vullnetare të refugjatëve sirianë.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite