Google ADS

Dështojnë bisedimet për Komitetin Kushtetues Sirian për shkak të qëndrimit të regjimit

08:35 | 1 Dhjetor 2019
Arbresh.info

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë thotë se bisedimet e Komitetit Kushtetues dështuan për shkak të mos arritjes së konsensusit për rendin e ditës.

Raundi i ri i bisedimet për paqen në Siri dështoi të fillojë për shkak të mos arritjes së marrëveshjes për rendin e ditës, tha i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Geir Pedersen, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ishte e pamundur të thirrej një takim i trupit të vogël prej 45 personave sepse nuk ka pasur një marrëveshje për rendin e ditës”, tha Pedersen para përfaqësuesve të mediave në Gjenevë.

“Siç e dini, në rregullat thelbësore të procedurës, thuhet se të dy bashkë-kryesuesit duhet të vazhdojnë me konsensus dhe do të bien dakord për një agjendë”, tha Pedersen, i cili ende nuk kishte një datë për raundin tjetër të bisedimeve.

“Ne u përpoqëm të arrinim kompromis, por ende nuk kemi arritur në atë pikë”, tha ai.

Regjimi sirian këtë javë vazhdoi të bllokojë takimin e Komitetit Kushtetues Sirian në Gjenevë.

Hadi Albahra, bashkë-kryetari i palës opozitare të komitetit tha: “Edhe pse nuk ishte e mundur që të mbajmë një sesion të përbashkët, kishte një kornizë pozitive pasi konsultimet u bënin përmes të dërguarit të posaçëm” dhe se u bënë përgatitje për punën në të ardhmen.

Ai më parë u tha gazetarëve se regjimi kishte propozuar shtimin e një artikulli në rendin e ditës që ishte jashtë kornizës themelore të kushtetutës.

Ahmad Kuzbari, bashkë-kryetari i anës së regjimit, tha: “Ne jemi ende të gatshëm të bëjmë përpjekje në të ardhmen në seancat e ardhshme për të arritur një agjendë për njerëzit tanë që shpresojnë shumë në përpjekjet tona.”

Komiteti Kushtetues Sirian, i përbërë nga anëtarë të opozitës, shoqërisë civile dhe të regjimit, filloi bisedimet më 20 nëntor me mbështetje të OKB-së.

Raundi i dytë i bisedimeve filloi më 25 nëntor.

Pedersen tha se kishte disa raunde të diskutimeve çdo ditë me dy bashkë-kryetarët.

“Ata kanë pasur diskutime të mira, diskutime serioze profesionale dhe ne jemi përpjekur që të arrijmë konsensusin. Por siç thashë, akoma nuk jemi aty”, tha Pedersen.

Komiteti është i mandatuar në kontekstin e një procesi të Gjenevës të mbështetur nga OKB që të përgatisë dhe hartojë për miratimin popullor reformat kushtetuese duke hapur rrugën për një zgjidhje politike në Siri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme