Si të merrni veten pas një katastrofe mjedisore

16:41 | 30 Nëntor 2019
Arbresh.info

Katastrofat si uraganët, tërmetet, aksidentet a zjarret janë të papritura, të befta dhe dërrmuese. Shumë njerëz mund të mos pësojnë lëndime fizike, por ngjarja mund të ketë pasoja emocionale. Ata që kanë përjetuar një ngjarje katastrofike kanë reagime emocionale intensive. Kur kuptojmë pse reagojmë kështu, pse ndihemi si ndihemi, pse mendojmë dhe sillemi kështu, atëherë mund të bëjmë para drejt shërimit.

Cilat janë reagimet dhe përgjigjet tipike pas një katastrofe?

Pas një ngjarjeje katastrofike, njerëzit ndihen të shokuar, të çorientuar dhe të paaftë për të përtypur informacionin. Pasi këto ndjenja fillestare zbehen, zënë vend një sërë sjelljesh dhe mendimesh.

1. Ndjenja intensive a të paparashikuara. Mund të ndiheni në ankth, stres, a depresion. Gjithashtu, mund të jeni më i irrituar se zakonisht dhe mund të keni luhatje humori.

2. Ndryshime në sjellje dhe mendime. Mund t’ju kujtohen imazhe të gjalla të ngjarjes. Këto kujtime rishfaqen pa asnjë arsye specifike dhe pasohen nga të djersitura a rrahje të përshpejtuara zemre. Mund t’ju vështirësojë përqëndrimin a marrjen e vendimeve. Gjithashtu, mund të keni probleme me gjumin dhe ushqyerjen – disa njerëz flenë dhe hanë më shumë se zakonsiht, të tjerëve u ndodh e kundërta.

3. Ndjeshmëri ndaj faktorëve mjedisorë. Sirenat, zhurmat, era e djegur dhe ndjesi të tjera mjedisore mund t’ju risjellin në mendje kujtime nga katastrofa, duke shkaktuar ankth. Këto nxitës mund të shoqërohen me frikën se tragjedia do të përsëritet.

4. Marrëdhënie personale të tensionuara. Konfliktet e shpeshta, mosdakordësitë me anëtarët e familjes a kolegët janë të rëndomta. Gjithashtu mund të tërhiqeni nga jeta normale shoqërore.

5. Simptoma fizike që kanë lidhje me stresin. Nëse përjetoni dhimbje koke, të përziera dhe dhimbje kraharori, ndoshta duhet të konsultoheni me mjekun. Sëmundje ekzistente mund të theksohen dhe rishfaqen nga stresi.

Çfarë të bëni?

Për fat të mirë, studimet thonë se shumica e njerëzve janë fleksibël dhe me kalimin e kohës e rimarrin veten. Është normale të përjetosh stres pas një katastrofe natyrore, por brenda pak muajsh gjendja emocionale duhet të kthehet si më parë.

Ja çfarë duhet të bëni për t’u siguruar që në të ardhmen e afërt të ndiheni më mirë:

1. Jepni kohë vetes për t’u përshtaur. Kuptoni se kjo do të jetë një periudhë e vështirë në jetë. Vajtoni për ata që humbët dhe tregohuni të duruar me ndryshimet e shpeshta në gjendjen emocionale.

2. Mbështetuni te të afërmit. Flisni me ta dhe shfaqni empati për njëri-tjetrin. Mbështetja shoqërore është shumë e rëndësishme pas një katastrofe. Mund të gjeni veten tek ata që përjetuan të njëjtën gjë dhe mund të kuptoni se s’jeni vetëm. Gjithashtu, ju bën mirë të flisni me të tjerë, që s’ishin të pranishëm për një perspektivë të re dhe objektivitet.

3. Flisni për përvojën tuaj. Shprehini ndjenjat si ta keni ju më mirë. Mund të flisni me të tjerët, mund të mbani një ditar ose të angazhoheni në një aktivitet artistik.

4. Gjeni një grup mbështetjeje që drejtohet nga një profesionist. Në vend, me dhjetëra psikologë janë mobilizuar për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti. Mund të kërkoni asistencën e tyre për këshilla të specializuara.

5. Jetoni një jetë të shëndetshme për t’u përballur me stresin e tepërt. Kjo do të thotë të hani një dietë të qëndrueshme dhe të pushoni mjaftueshëm. Shmangni alkoolin dhe drogëat pasi mund t’ju shpërqëndrojnë nga synimi juaj.

6. Ndiqni rutinat e vjetra ose të reja. Hani në orare të rregullta, flini dhe zgjohuni në të njëjtën kohë si më parë dhe ndiqni një rutinë atletike. Lini kohë për një aktivitet që ju pëlqen, si një hobi, një shëtitje në park a leximi i një libri.

7. Shmangni marrjen e vendimeve madhore. Ndërrimi i punës a vendime të tjera madhore janë mjaftueshëm stresuese në rrethana normale dhe akoma më shumë pas një katastrofe.

Kur duhet të kërkoni ndihmën e një specialisti?

Nëse vini re që ndiheni të pashpresë dhe të paaftë për të kryer punë të përditshme, kontaktoni me një specialist të shëndetit mendor, si psikologu. Psikologu mund t’ju ndihmojë të adresoni ankthin, depresionin dhe stresin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme