Google ADS

Marrëveshja e “detyrueshme” VV-LDK, dhe gjasat për zgjedhje të reja

08:10 | 30 Nëntor 2019
Arbresh.info

Pavarësisht që  Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, hasin në vështirësi rreth marrëveshjes ato janë të detyruara që të arrijnë një marrëveshje për qeverisje.

Rrethanat politike dhe fryma e krijuar e  detyron  një koalicion të tillë thotë njohësi i çështjeve politike në vend Bekim Kabashi.

“Pavarësisht se VV dhe LDK mund te hasin ne vështirësi gjatë negociatave për marrëveshje koalicioni, shkaku i pretendimeve të dy partive që të marrin sa më shumë nga ky koalicion. Pothuajse janë të detyruar të gjejnë një kompromis për marrëveshje. Rezultati i zgjedhjeve, rrethanat politike në vend, por edhe fryma e krijuar ne opinion e bën gati te detyrueshëm një koalicion ne mes tyre”.

Kabashi hedh poshtë mundësinë që LDK si parti e dytë do të mund të bëjë një Qeveri me ndonjë partner tjetër.

Në përgjigjen dhënë arbresh.info, ai thotë se nëse VV-ja dështon të formojë qeverinë edhe me ndonjë partner tjetër atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Ndërsa ajo nëse LDK po provon që ta nxjerrë VV’në jashtë loje, kjo do të jetë e pamundshme edhe në rast se LDK tregon pretendime të tilla. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qarte se VV si fituese e zgjedhjeve është ajo qe duhet ta bëjë qeverinë. Nëse VV nuk arrinë marrëveshje koalicioni me LDK’në, ajo ka edhe opsione të tjera, siç janë AAK dhe Nisma-AKR. Pra, është VV ajo e cila mund ta shmang LDK’në, por jo e kundërta. Nëse VV si fituese e zgjedhjeve nuk arrinë të gjejë partner koalicioni, atëherë mund të shkojmë sërish në zgjedhje. Por, jo të vij te varianti që LDK si partia e dytë të përjashtojë VV’në, dhe të bëjë qeverinë me parti tjera parlamentare. Kjo është bërë edhe më e qartë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në kohën e VLAN’it, se i takon ekskluzivisht partisë se parë që ta bëjë qeverinë”.

E po të njëjtin mendim ka edhe Fatmir Sheholli.

Sipas Shehollit sado që mund të ketë mosmarrëveshje për ndarje të posteve mes këtyre dy partive, prapë se prapë ato do të duhet të arrijnë marrëveshje.

Ndërsa edhe ky nuk e përjashton mundësin që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

“Jam i bindur që marrëveshja VV-LDK do të arrihet shume shpejtë. Nuk besoj që ka mosmarrëveshje të cilat mund të sjellin bllokim të situatës. Nuk mund të këtë lojë tjetër të LDK-së sepse vetëm edhe ekskluzivisht VV mund të formojë qeverinë edhe herën e dytë. Nëse edhe herën e dytë VV nuk arrijnë të formojë qeverinë atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja, sepse Kushtetuta nuk lejon formë tjetër”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se ishin vetë këto dy parti që paralajmëruan se me të certifikuar rezultati i zgjedhjeve, do të ulen e të nënshkruajnë marrëveshjen mirëpo kjo gjë nuk po duket në shesh.

Në takimin e të premtes,  24 orë pas certifikimit të zgjedhjeve dy krerët e partive të para në vend ishin të rezervuar duke mos dhënë asnjë detaj rreth marrëveshjes.

Pritet që javën e ardhshme të konkludohet marrëveshja VV-LDK./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme