Google ADS

Fetahu pas takimit me Zagklis: FIBA, krah i fortë i FBK-së në zhvillimin e basketbollit në Kosovë

14:30 | 29 Nëntor 2019
Arbresh.info

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku janë pritur në një takim pune në Shtëpinë e Basketbollit në Mies të Zvicrës nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis.

Ftesa për këtë takim në drejtim të krerëve më të lartë të FBK-së kishte ardhur javë më parë nga z. Zagklis, i cili para një viti e kishte marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s dhe në këtë mënyrë ka shprehur dëshirën për të dëgjuar më për së afërmi për punën që FBK po e bën për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.

Në këtë takim Fetahu dhe Dushku kanë marrë lëvdata për punën e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja dhe në veçanti në masovizimin e basketbollit ndër vajza të reja nëpërmjet projekteve mbështetëse nga FIBA.

Krerët e FBK-së e njoftuan z. Zagklis për idenë e Qendrës Kombëtare të Basketbollit të cilin projekt FBK do të fillojë ta implementoj nga viti i ardhshëm dhe me këtë rast FIBA ka shprehur gatishmërinë që të asistoj FBK-në në këtë projekt me trajner me përvojë në implementimin e projekteve të tilla të mëdha.

Temat tjera që janë diskutuar me interes të veçantë në këtë takim pune kanë qenë:

–    Edukimi i trajnerëve në Kosovë;

–     Minibasketbolli në Kosovë;

–      Ngritja e cilësisë në basketbollin femëror në Kosovë;

–        Qeverisja në klubet kosovare;

–       Ndërtimi i konceptit të basketbollit 3×3 në Kosovë dhe masovizimi i 3×3 ndër djem dhe vajza të reja;

Në të gjitha këto tema FBK ka gjetur përkrahje nga FIBA në mënyra të ndryshme, e cila përkrahje do të vihet në zbatim menjëherë që nga muaji dhjetor.

Për të dëshmuar përkrahjen dhe gatishmërinë për ndihmuar FBK-në, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis do të vizitojë Kosovën vitin e ardhshëm, dëshirë kjo që ai e ka shprehur në takim me krerët e FBK-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme