Google ADS

Dy persona të arrestuar lidhur me plagosjen në Duplex, pesë në arrati

11:28 | 27 Nëntor 2019
Arbresh.info

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar edhe dy persona lidhur me rastin e plagosjes së katër personave që kishte ndodhur me 9 nëntor në klubin e natës, “Duplex”

Në raportin e policisë bëhet e ditur se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq rasti po vazhdon të hetohet.

“Rr. Rinia, Prishtinë 09.11.2019 – 02:00. Lidhur me rastin me datën 26.11.2019 janë arrestuar edhe dy të dyshuar meshkuj K/shqiptar nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale të cekura më lartë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet”, thekson raporti

Ndërkaq e tërë ngjarja kishte ndodhur mesnatën e 9 nëntorit në rrugën “Rinia” në Prishtinë, ku një përleshje me grushte kishte eskaluar deri në përdorim të armëve të zjarrit.

Si pasojë e kësaj, katër persona kishin mbetur të plagosur dhe kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në pamjet e kamerave të sigurisë shihej se të dyshuarit fillimisht ishin fjalosur me sigurimin e më pas ishin përdorur edhe armët e zjarrit.

Një nga të dyshuarit kishte shtënë në drejtim të sigurimit, duke i goditur ata me armë zjarri në këmbë.

Ndërkaq po atë natë, policia në vendngjarje ka sekuestruar tri armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorur në këtë rast, i cili në polici është iniciuar si “Vrasje në Tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Hetuesit policorë kishin arritur t’i identifikonin nëntë persona të dyshuar. Ndërkaq me arrestimin e dy të dyshuarve, katër persona janë në mbajtje ndërkaq pesë të tjerë janë ende në arrati

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme