Google ADS

Haxhiu: LDK-ja nuk e ka lyp presidentin asnjëherë

01:23 | 26 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes i ka cilësuar si jashtëzakonisht konstruktive diskutimet për hartimin e programit të përbashkët qeverisës me LDK-në.

“80 për qind të programit e kemi përafruar, në një dokument voluminozë që e kemi përgatitur. Ndërkohë kanë pasur një takim z. Kurti dhe z. Mustafa dhe janë marrë vesh që në 3 ditë pas certifikimit të rezultatit të caktojnë pozicionet”, ka thënë Haxhiu në “Interaktiv” të KTV-së.

Haxhiu ka thënë se LDK-ja asnjëherë zyrtarisht në takimet që kanë mbajtur nuk e ka kërkuar postin e presidentit.

“Deri tash nuk kanë kërkuar asnjëherë zyrtarisht për një gjë të tillë. Ne ju kemi thënë se duhet të flasim për pozita të zbrazëta. Posti i presidentit aktualisht nuk është i tillë, dhe nëse Thaçi nuk dorëhiqet dhe ne nuk kemi votat e nevojshme për shkarkimin e tij dhe i dimë procedurat, atëherë nuk mund të flasim për këtë pozicion”, ka thënë Haxhiu.

“Asnjëherë nuk e kemi disktuuar as ndarjen e ministrive, ka mbetur që të përcaktohen në takimet e liderëve. Jemi pajtuar që të kemi vetëm 12 ministri, dhe të secila të ketë maksimum 3 zëvendësministra. Kemi mospajtime në postet e zëvendëskryeministrave. Ne kemi kërkuar 2, LDK-ja më pak”, ka thënë ajo.

E pyetur për kundërpeshën e postit të kryeministrit, dhe për formulën e ndarjes nga 5 ministri për dy partitë e mëdha dhe 2 minoriteteve, Haxhiu ka thënë se “sa i përket postit të kryeministrit atë e kanë vendosur qytetarët”, ndërsa “për numrin e ministrive nuk kemi diskutuar”.

Ajo ka thënë se pritet që certifikimi i rezultateve do të bëhet brenda kësaj jave.

“E pastaj çka varet prej neve do të bëhet shumë shpejt. Presidenti i ka 30 ditë afat për të ftuar Kuvendin, mund ta vonojë ose mund ta ftojë menjëherë me idenë se na zë të papërgatitur, por ne jemi gati”, ka thënë ajo, duke folur nëse Kosova mund të bëhet me qeveri brenda këtij viti.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme