Haxhiu: Emërimet në AKI i kontestojmë në Kushtetuese posa të konstituohet Kuvendi

23:42 | 25 Nëntor 2019
L G

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të kontestojnë emërimet e sotme në krye të AKI-së, në momentin e parë që do të kenë mundësi ta bëjnë këtë, pasi që të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit.

Haxhiu ka thënë se emërimet e sotme janë të paligjshme, joligjore e se janë bërë për ta penguar punën e Qeverisë së ardhshme.

“Prej 6 tetorit, e gjithë kjo periudhë është karakterizuar me vendime të tilla skandaloze. Prej rehatimit të militantëve në borde e institucione publike siç bënin deri tash por tash me intensitet më të lartë, deri te procesi i komprometuar i noterisë, e sot u njoftuam për ndarjen e këtyre dy pozicione si pazar i PAN-it të vjetër”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se AKI-ja është një institucion me shumë rëndësi dhe kjo mënyrë e emërimit të krerëve të saj është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, që ka dalë fituese dhe pret që të bëjë qeverinë e re.

“Nuk ka as ligjshmëri e as legjitimitet, dhe është shkelje e Kushtetutës. Megjithëse Ligji për AKI-në thotë se shefi i AKI-së zgjidhet 20 ditë pas dorëheqjes së shefit aktual, kjo parasheh kur kemi një kryeministër me kompetenca të plota. Kryeministri i dorëhequr nuk mund të marrë vendim për emërimin e shefit të AKI-së, dhe presidenti nuk mund të emërojë për shef të AKI-së një person të nominuar nga një ish-kryeministër”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se problemi tjetër është se të dy të emëruarit, edhe Kreshnik Gashi edhe Burim Ramadani janë persona politikë.

“I pari është person i afërt i Thaçit, derisa i dyti vetëm para pak kohësh vajtonte këtu për votat e AAK-së, e tash e kanë shpërblyer me postin e kryeshefit. Është e qartë që këta duan ta vështirësojnë punën e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Haxhiu  në KTV.

“Sikur të ishte Kuvendi i konstituuar ne do ta kontestonim që sot këtë vendim, por në momentin që Kuvendi do të konstituohet ne do ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Haxhiu më tej.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme