Scholz: Gjermania duhet të udhëheqë veprimtaritë klimatike

23:04 | 25 Nëntor 2019
Arbresh.info

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, deklaroi sot se vendi i tij duhet të ketë një rol pararojë kur bëhet fjalë për masat e mbrojtjes së klimës.

“Ne kemi teknologjitë, kemi inxhinierë dhe kemi mjetet për ta bërë këtë”, theksoi Scholz, në një kongres të organizuar në Berlin, nga Agjencia gjermane e Energjisë.

“Nëse Gjermania, si vend shumë i industrializuar, arrin të ndryshojë mënyrën e saj të drejtimit të makinave, ngrohjes dhe prodhimit, vendet e tjera do ta ndjekin”, shtoi ministri.

Scholz deklaroi se deri më tani është bërë shumë pak kundër ndryshimit të klimës. Ai gjithashtu argumentoi se qeveria gjermane tani po ndryshon kurs, me një paketë politike të diskutueshme të klimës, që vendi miratoi kohët e fundit.

Paketa, ndër të tjera, parashikon një çmim për emetimet e dyoksidit të karbonit në sektorët e transportit dhe ndërtimit. Çmimi hyrës në 2021 do të jetë 10 euro, për të cilin organizatat dhe ekspertët e mjedisit besojnë se është shumë i ulët./atsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme