Zgjedhjet në Hong Kong, goditje ndaj qeverisë

18:25 | 25 Nëntor 2019
Arbresh.info

Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se qeveria “do të reflektojë seriozisht”, pasi kandidatët pro demokracisë shënuan fitore masive në zgjedhjet lokale.

Sipas mediave atje, 17 nga 18 këshillat e qarqeve do të kontrollohen tani nga këshilltarët pro demokracisë.

Zgjedhjet e së dielës në Hong Kong kanë qenë të parat prejse ka nisur vala e protestave kundër regjimit të Pekinit, gati gjashtë muaj më parë.

Pjesëmarrja në to ka qenë e paparë më herët – mbi 71 për qind.

Në deklaratën e lëshuar të hënën, Lam tha se qeveria do ta respektojë rezultatin.

Sipas saj, shumë mendojnë se ai “pasqyron pakënaqësinë e njerëzve me situatën aktuale dhe problemet e thella në shoqëri”.

“Qeveria do të dëgjojë mendimet e anëtarëve të publikut dhe do të reflektojë seriozisht”, tha Lam, e cila gëzon mbështetjen e regjimit në Pekin.

Këshilltarët e rretheve kanë pak fuqi politike dhe kryesisht merren me çështje lokale, siç janë rrugët e autobusëve dhe mbledhja e mbeturinave.

Por, këshilltarët gjithashtu duhet të zgjedhin 117 vetë nga rrethet e tyre, për t’u ulur në komitetin prej 1,200 anëtarësh që zgjedh shefin ekzekutiv të Hong Kongut.

Zgjedhjet e së dielës u panë si testim i mbështetjes për zonjën Lam, pas protestave që kanë nisur fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, por që janë shndërruar më pas në një lëvizje më të gjerë kundër regjimit të Pekinit.

Protestat, në disa raste, kanë detyruar mbylljen e qeverisë, bizneseve dhe shkollave, pasi policia ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji kundër protestuesve që kryesisht hidhnin bomba me benzinë.

Hong Kongu është pjesë e Kinës prejse i është dorëzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në vitin 1997, në bazë të politikës “një shtet, dy sisteme”.

Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.

Autoritetet atje nuk i komentuan zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve në Hong Kong. Por, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, duke folur në Japoni, përsëriti se “pavarësisht se çfarë ndodh, Hong Kongu është pjesë e Kinës”.

“Çdo përpjekje për të rrënuar Hong Kongun, apo për të dëmtuar përparimin dhe stabilitetin e tij, nuk do të ketë sukses”, tha ai.

Mediat shtetërore në Kinë kanë qenë të kujdesshme në raportimin e rezultateve.

Botimi në anglisht i gazetës së mbështetur nga shteti Global Times tha se rezultati rrjedh nga kushtet “jonormale”, që i kanë ndihmuar kampit pro demokracisë “t’i mobilizojë votuesit e tij”.

Sipas Global Times, “forcat perëndimore” gjithashtu e kanë mbështetur opozitën.

Përpara zgjedhjeve, media shtetërore u ka bërë thirrje njerëzve të votojnë për stabilitetin dhe kundër trazirave./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme