U martua në Gjakovë, e mitura nga Peja i bie pishman dhe tenton të vritet pasi nuk e lanë të ndahet

17:52 | 25 Nëntor 2019
L G

Një vajzë e mitur nga Peja është martuar me një djalë të moshës madhore nga Gjakova. Për martesën në moshë të hershme ajo i kishte rënë pishman pas një muaji, por që askush nuk e kishte përkrahur që të ndahej nga bashkëshorti.

E nga presioni që i kishin bërë babai i saj dhe i burrit, për të qëndruar e martuar, ajo kishte tentuar të vetëvritej,.

Në vend se të ishte në bankat shkollore duke ndjekur mësimet si bashkëmoshatarët e saj, një 14-vjeçare nga Peja kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Martesën.

E mitura nga Peja ishte martuar në Rogovë të Gjakovës. Por, për këtë, ajo u bë pishman vetëm pas një muaji martesë.

Dëshiriën për t’u kthyer në shtëpinë e babait ajo e kishte shfaqur para të dyja familjeve, por që asnjëra nga to nuk e kishte përkrahur.

Babai i saj i kishte thënë se nëse ndahet nga bashkëshorti, nuk e pranojnë më në familje.

E një kërkesë të tillë të së miturës nuk e kishte pritur mirë as vjehrri i saj. Njëjtë si i ati, edhe vjehrri i kishte thënë që të mos ndahej nga bashkëshorti.

I tërë ky presion nga të dyja familjet, kishte bërë që 14-vjeçarja të zgjidhte rrugën më të keqe, atë të vetëvrasjes.

Policia në raportin 24 orësh kishte bërë të ditur se e mitura i ka prerë venat e dorës, duke tentuar të vetëvritet.

“Gjakovë 22.11.2019 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Ashkali, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje i kishte bërë presion bashkëshortes së djalit të tij viktimës femër K-Ashkalike (e mitur), e  cila më pas kishte tentuar të vetëvritet duke i prerë venat e duarve. Viktima është dërguar për tretman mjekësor”, theksohet në raport.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se i dyshuari, në këtë rast vjehrri i të miturës, pas intervistimit ishte liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Ndërkaq krejt këtë ngjarje për Express e ka konfirmuar Drejtori Rajonal i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.

Ai ka treguar se pas trajtimit mjekësor, e mitura është kthyer në familjen e saj në Pejë.

“Pas tentimit të vetëvrasjes, të miturën e kanë marrë familjarët ë saj, është kthyer në Pejë”, ka thënë Graishta, derisa ka theksuar se nuk ka pasur indikacione se dikush e ka detyruar të miturën të martohet.

Graishta ka theksuar se bashkëshorti i të miturës është i moshës madhore dhe ndaj tij do të ndiqen procedurat penale për martesë me një të mitur.

Po ashtu, Graishta ka theksuar se rasti në polici është iniciuar si vepër penale “Për bashkëjetesë me person nën moshën 16-vjeçare”, “Tentim vetëvrasje” dhe “Dhunë në familje”.

“Meqenëse rasti me urdhër të prokurorit ka kaluar në procedurë të rregullt, i njëjti është intervistuar dhe janë marrë disa dëshmi. Ndërsa sot, eventualisht nesër pritet kompletimi i lëndës dhe dërgimi i Kallëzimit Penal në Prokurori, deri më tani janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka theksuar Graishta.

Ndërkaq për personat e moshës madhore që martohen me të mitur ka edhe ndëshkime penale të cilat përcaktohen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ky Kod Penal specifikon se personi i moshës madhore i cili lidh martesë me një të mitur të moshës 14-16 vjeçare mund të dënohet prej pesë deri në njëzet vjet.

Dënimet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës:

Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet:

  1. Personi madhor i cili bashkëjeton në një bashkësi jashtëmartesore me personin në mes të moshës katërmbëdhjetë (14) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në njëzet (20) vjet.
  2. Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo ndonjë person tjetër që ushtron autoritet prindëror, që i lejon ose e shtyn personin në mes të moshës katërmbëdhjetë (14) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjet që të bashkëjetojë në një bashkësi jashtëmartesore me personin tjetër, dënohet me burgim prej (5) deri në njëzet (20) vjet
  3. Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet, kryesi dënohet me së paku dhjetë (10) vjet burgim.
  4. Kur vepra penale nga paragrafi 1, 2 ose 3 i këtij neni kryhet me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet.

Ndërkaq, Ligji për Familjen, e specifikon se martesa është e ndaluar për persinat të cilët janë nën moshën 18-vjeçare.

Çka thotë Ligji për martesat e hershme, nën moshën 16-vjeçare:

Ligji për Familjen, Ligji Nr. 2004/32, Neni 16:

(1) Personi i cili nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeçare nuk mund të lidhë martesë.

(2) Për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës së tij, gjykata kompetente mund t’i lejojë martesën personit të mitur më të vjetër se gjashtëmbëdhjetë vjet, nëse konstaton se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore.

(3) Para se të marrë vendimin, gjykata do të kërkojë mendimin e Organit të Kujdestarisë, do ta dëgjojë të miturin dhe prindërit përkatësisht kujdestarin e tij. Gjykata gjithashtu do të dëgjojë personin me të cilin i mituri ka për qëllim të lidhë martesë, mendimin e institucionit përkatës shëndetësor dhe do të hetojë rrethanat tjera të rëndësishme për vendimin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme