Miftaraj i quan militantë partiakë të sapo emëruarit në AKI

17:20 | 25 Nëntor 2019
L G

Emërimi i Drejtorit të AKI’së dhe Inspektorit të Përgjithshëm nga qeveria në ikje po konsiderohet vendim i jashtëligjshëm nga ana e juristëve. Ehat Miftaraj, nga IKD, deklaron se Qeveria në ikje nuk ka legjitimitet që të bëjë këto emërime dhe se Gashi e Ramadani janë militantë partiakë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se bashkë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kanë emëruar në pozitën e kreut të AKI-së, Kreshnik Gashin, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm në AKI.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka deklaruar se profilet e emëruara janë “figura me integritet dhe ekspertë për siguri dhe se garantojnë profesionalizmin e kredibilitetin e AKI-së”.

Por, një gjë e tillë po konsiderohet e jashtëligjshme nga juristët.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka thënë Gazetës Express se Qeveria në ikje nuk ka legjitimitet në emërimin e Drejtorit të AKI’së dhe Inspektorit të Përgjithshëm.

“Ligji për AKI-në përcakton në mënyrë të qartë se Drejtori i AKI-së për punën e tij do t’i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit të vendit.  E kur kësaj i shtohet fakti se gjatë këtyre ditëve apo javëve pritet ceritifkimi i zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re, më një Kryeministër që nuk do të jetë z Haradinaj, emërimet e sotme i bën jo legjitime dhe pa pikë integriteti dhe kredibilteti”, ka thënë Miftaraj.

Miftaraj ka përmendur edhe faktin se të dy të emëruarit vijnë nga politika.

“Për më tepër, personat e emëruar sot kanë një të emërues të përbashkët, të dy janë militantë politik që vinë nga radhët e PDK-së dhe AAK-së. Fatkeqësisht, kjo qeveri në ikje nuk ka të ndalur me skandale dhe emërime politike në institucione të rëndësisë së veçantë për sigurinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Për emërimin e Gashit dhe Ramadanit ka njoftuar edhe Zyra e Presidentit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë emëruar për Drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashin, si dhe për Inspektor të Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin. Ky vendim është marrë bazuar në nenin 84, paragrafin 21, bazuar në nenin 94, paragrafin 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të presidencës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme