Tiranë, aktivitet me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed

16:07 | 25 Nëntor 2019
Arbresh Info

Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, studiues nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë dhe të organizatave të shoqërisë civile

Me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed në Tiranë është organizuar programi “Ditëlindja jote: ditëlindja jonë” me ligjërata dhe interpretime të grupeve artistike.

Në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni ALSAR ishin të pranishëm këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë Bekir Yanılmaz, studiues nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Aktiviteti filloi me këndimin e Kuranit nga imami i xhamisë “Çamlıca”, hafiz İshak Danış, ndërsa u mbajtën ligjërata edhe nga Prof. Dr. Musa Musai dhe Prof. Dr. Metin Izeti.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, në fjalën e tij në hapje të programit tha se lindja e Profetit Muhamed përbën një ngjarje të rëndësishme në zhvillimet e historisë njerëzore.

“Historia e njerëzimit nuk ka njohur ndonjë personalitet si Profeti (a.s) dhe autenticiteti i jetës së tij është një karakteristike me veçori të rralla historike. Jeta e tij do të jetë gjithnjë një pikë vrojtimi e historisë, një burim i pashtershëm i humanizmit për historinë e njerëzimit. Si proklamues i vlerave universale të të drejtave të njeriut të shpallur në Kuranin Fisnik, ai mbetet në histori ideali më i lartë për mbarë njerëzimin”, tha Gurra.

Gurra theksoi se që kur kanë nisur të bëjnë pjesë në familjen e popujve muslimanë, banorët e tokave shqiptare kanë kremtuar bashkë me festat e mëdha fetare edhe ditëlindjen e të Dërguarit të Zotit Muhamedit (a.s).

“Gjithashtu veç vlerave shpirtërore dhe sociale, Mevludi solli në trojet tona si pjesë e begatisë muhamedane edhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Një gjini e posaçme letrare, nga më të vjetrat në letërsinë shqipe, ajo e poemave të Mevludit nisi të lëvrohej ndër shqiptarët nën modelet e letërsisë klasike arabo-perse e po aq edhe nën ndikimin e folklorit shqiptar”, tha më tej Gurra.

Pjesë e programit ishin edhe interpretimet e grupit artistik të Medresesë Haxhi Sheh Shamia Shkodër dhe grupit artistik “Semazen” nga Shkupi./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme